Tsipras:“Jo” pakos së kreditorëve, ose dorëhiqem
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, u ka bërë thirrje grekëve që në referendum të hedhin poshtë kërkesat e kreditorëve, pasi kjo votë kundër masave shtrënguese do ta ndihmojë Greqinë të negociojë një zgjidhje më të mirë ndaj krizës...

Ai në një intervistë për televizionin shtetëror ERT po ashtu bëri të ditur se nëse vendimi i grekëve do të jetë “pro” masave, atëherë ai do të japë dorëheqjen dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjen do ta japë populli grek. Nëse grekët dëshirojnë të vazhdojnë me masat shtrënguese në përjetësi, me reformat e ashpra që nuk do të na lënë të ngremë kokën, që po detyrojnë mijëra të rinj të largohen jashtë shtetit, që do të shkaktojnë rritje të papunësisë dhe të marrim përsëri programe ndihme dhe kredi, nëse kjo është zgjedhja e tyre, ne do ta respektojmë atë, por nuk do të jemi ne ata që do ta zbatojnë”- deklaroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.
Tsipras po ashtu deklaroi se Greqia nuk paguan sot detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.6 miliardë euro.
Sa u përket kërcënimeve për largimin e Greqisë nga Eurozona, Gazeta britanike "Daily Telegraph", citon ministrin grek të Financave, Gianis Varoufakis, të ketë deklaruar se Qeveria greke do të shkojë në Gjykatën Evropiane të Komuniteteve, pasi statusi i BE-së nuk parashikon daljen e një vendi anëtar të euros nga zona e monedhës së përbashkët.
Njëri nga kreditorët e Greqisë, Komisioni Evropian, i ka dhënë asaj edhe një ofertë për reforma të hënën. Mediat greke thonë se bisedimet për ofertën e re po zhvillohen “në nivelin më të lartë” në Athinë, por Cipras është shprehur i vendosur të mbajë referendumin këtë të diel. (Ersan Pajaziti, TVM2)
