Maqedoni

Prona e shitur tatimohet sipas vlerës në kontratë

30.06.2015 17:21

Tatimimi i pronës, e cila është objekt i shitblerjes, do të bëhet në bazë të vlerës së kontraktuar dhe jo sipas vlerësimit që bën Njësia për Vetadministrim Lokal apo Qyteti i Shkupit...

Me ndryshimet e reja në Ligjin për tatim personal në fitim, mundësohet që çmimi shitës gjatë shitjes së një patundshmërie të llogaritet çmimi i kontraktuar, përveç në rastet kur organi i të hyrave publike konstaton se çmimi i kontraktuar është më i ulët se çmimi i tregut.
 
Atëherë, si çmim i shitjes do të llogaritet vlera në treg e pronës së paluajtshme, e përcaktuar nga Njësia për Vetadministrim Lokal dhe Qyteti i Shkupit sipas metodologjisë për vlerësimin e vlerës së tregut të pasurisë së paluajtshme.  
 
Me ndryshimet e reja në Ligjin për tatim personal në fitim, i cili është në lexim të dytë në Kuvend, parashihet që gjatë shitjes së patundshmërisë që tatimpaguesi e ka ndërtuar vetë, si çmim furnizues do të llogaritet çmimi i vlerës së patundshmërisë, të cilin tatimpaguesi do ta dëshmojë me dokumentacion, në bazë të shpenzimeve të bëra për ndërtimin e patundshmërisë.
 
Në rast se kjo nuk mund të dëshmohet, atëherë si çmim furnizues do të llogaritet çmimi i vlerës, përkatësisht çmimi për ndërtimin e një patundshmërie të njëjtë në periudhën dhe rajonin ku është ndërtuar patundshmëria.
 
Ndryshe, me ligjin aktual tatimimi i pronës, e cila ishte objekt i shitblerjes, bëhej nga Njësia për Vetadministrim Lokal apo Qyteti i Shkupit, sipas metodologjisë për vlerësimin e vlerës së tregut të pasurisë së paluajtshme, që zakonisht ishte më e lartë se vlera e kontraktuar mes shitësit dhe blerësit dhe rrjedhimisht tatimpaguesi paguante tatim më të lartë.         
 
SHPËTIM NUREDINI