Maqedoni

Gostivar, shënohet Dita e Komunës

30.06.2015 17:36

Me një ceremoni solemne që u mbajt mbrëmë në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë, për të dytin vit me radhë është shënuar Dita e Komunës së Gostivarit...

Me një ceremoni solemne që u mbajt mbrëmë në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë, për të dytin vit me radhë është shënuar Dita e Komunës së Gostivarit, 29 qershori i vitit 1992, data e themelimit të Këshillit të  parë Komunal me zgjedhje demokratike.
 
Para mysafirëve të ardhur nga Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina, drejtuesve të institucioneve shtetërore, atyre fetare, kulturore dhe sportive, deputetëve, këshilltarëve dhe administratorëve komunal, si dhe qytetarëve të shumtë të Gostivarit, në  fjalimin e tij kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, theksoi se nga qershori i vitit 2014 dhe deri tani janë realizuar mbi 60 investime, shumica e të cilave kapitale dhe me rëndësi të madhe për qytetarët e Gostivarit.
 
“Përmirësimi i kushteve në arsim ka qenë një prej prioriteteve kryesore. Investuam në shumë shkolla. Arritëm që shkollat publike t’i bëjmë më të mira se shkollat private. Disa nga këto investime u realizuan me buxhetin e Komunës së Gostivarit dhe disa investime të tjera me financa të siguruara nga donacione të ndryshme nga brenda dhe jashtë Maqedonisë”- potencoi Bejta.
 
Më pas, fjalë rasti mbajti kryetari i Komunës së Stari Gradit, Ibrahim Haxhibariq, i cili shprehu lumturinë që ndodhet në Gostivar, duke theksuar se bashkëpunimi dhe binjakëzimi i Komunës që drejton me Komunën e Gostivarit erdhi si rezultat i ndërmjetësimit të mërgimtarëve nga Gostivari që jetojnë dhe veprojnë në Bosnjë dhe veçanërisht në Sarajevë dhe Stari Grad, me ç’rast shprehu fjalë miradije për punën e tyre të ndershme atje.
 
Për të dytin vit me radhë, po ashtu është shpallur edhe Qytetari i Nderit për vitin 2015 në Komunën e Gostivarit. Këtë epitet e fitoi veprimtari i çështjes kombëtare dhe autori i shumë librave gjuhësore, Sadulla Zendeli – Daja.
 
Ndërkohë, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, u ndanë mirënjohje për personalitete të ndryshme nga fusha e shkencës, artit, kulturës, sportit, biznesit e tjerë për të arriturat në karrierën e tyre.
 
Ndër to mirënjohje në emër të Komunës së Gostivarit mori edhe veterania e këngës shqipe, Hanife Sejfulla – Reçani, si dhe Armend Imeri, Lokmani Musliu dhe Artan Emini për arritje në teknologjinë informative.
 
Shënimi i Ditës së Komunës së Gostivarit kaloi nën shoqërimin e tingujve muzikore të orkestrës profesionale në dirigjim të profesor Jeton Pustina, ndërsa programi filloi me këngën dedikuar qytetit të Gostivarit nga solistët e rinj gostivaras.
 
LULZIM HAIRI