Mustafa takon Merkelin në Berlin, merr porosi për dialogun dhe Gjykatën Speciale
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka qëndruar sot për vizitë në Berlin, ku me një ceremoni zyrtare është pritur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel...

Vazhdimi i dialogut, kompromiset e nevojshme dhe themelimi i Gjykatës Speciale janë kërkesat që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ia ka paraqitur sot kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, në takimin e zhvilluar në Berlin.
Në konferencën e përbashkët për media me Mustafën, Merkel theksoi se marrëveshjet kërkojnë kompromis të dyanshëm mes palës kosovare dhe asaj serbe.
“Natyrisht, ne kemi një interes shumë të madh që të bëhet marrëveshje e drejtë dhe kjo vlen për të dyja palët. Kompromise duhet të bëjnë të dyja palët, jo vetëm Kosova, natyrisht edhe Serbia. Unë i inkurajoj të dyja palët, sepse vetëm nëse kanë përparime në dialog, kanë përparime edhe në rrugën evropiane. Kjo vlen edhe për Serbinë, edhe për Kosovën”- ka thënë Merkel.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Mustafa, tha se në takim është diskutuar për çështjet themelore që e preokupojnë Kosovën dhe BE-në, çështjet zhvillimore, integrimin evropian dhe përmbushjen e kritereve për nevojën e luftimit të krimit dhe korrupsionit si një nga kriteret që ne duhet përmbushur për liberalizimin e vizave.
