Ambasadorët e BE-së takojnë Ahmetin dhe Thaçin, kriza politike në fokus të takimeve
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së me krerët, atë të BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, shqyrtuan krizën aktuale politike në vend...

Gjatë takimeve të realizuara në selitë e dy partive në Tetovë, ambasadorët dëgjuan qëndrimet e liderëve, duke shprehur interesim për kohëzgjatjen e krizës aktuale politike.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar nga të gjitha vendet, në veçanti nga ambasadori i BE-së, që të inkurajojë palët që sa më parë të arrihet marrëveshje dhe respektim i plotë i marrëveshjes së dy qershorit.
Ahmeti ka thënë se partia e tij po bën përpjekje maksimale për zgjidhjen përfundimtare të krizës, pasi që çdo stërzgjatje i kushton shumë ekonomisë. Ai ka paralajmëruar se takimi i radhës i liderëve duhet të mbahet në fund të javës, megjithëse nuk është optimist se zgjidhja do të vijë së shpejti.
“Tash për tash nuk mund të afirmoj ndonjë vullnet të fortë se do të kemi ndonjë zgjidhje të shpejtë, por shpresoj se të gjithë do të vënë interesin e përgjithshëm si prioritar dhe më pas të vijnë interesat e ngushta partiake. Shpresoj që palët të reflektojnë dhe për këtë u kemi dhënë dy apo tre ditë afat që ato të rishqyrtojnë pozicionet e tyre dhe të paraqiten me një plan konkret”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkaq edhe kryetari i PSDh-së, Menduh Thaçi, shpalosi ofertën e PDSh-së për daljen nga kriza politike.
“Fokusimi në agjendën euroatlantike përmes zbatimit dhe realizimit të reformave të vendosura nga Komisioni Evropian, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet ndëretnike, dhe zgjidhja e tyre konformë marrëveshjes se re politike që e ofron PDSh-ja janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë”- është shprehur Thaçi.
Ambasadorët, duke përsëritur qëndrimin e Brukselit zyrtar, kanë rekomanduan që të gjitha partitë politike me përgjegjësi të përmbyllin dialogun i cili po zvarritet tanimë pesë muaj. (Meral Ismaili, TVM2)
