Takim i jashtëzakonshëm i eurogrupit për propozimin e ri të Greqisë
Kryetari i Eurogrupit, Jerun Dejselblum paralajmëroi se sonte do të mbahet takim i jashtëzakonshëm i ministrave të Financave të Eurozonës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Gjatë telekonferencës, e cila do të mbahet në orën 19 sipas kohës së Maqedonisë, do të diskutohet për propozimin e ri të cilin Athina pasdite ua dorëzoi kreditorëve.
Greqia sot propozoi marrëveshje dyvjeçare me Mekanizmin evropian për stabilitet për mbulimin e plotë të nevojave të saj financiare dhe me ristrukturimin paralel të borxhit, kumtoi Qeveria greke.
"Greqia mbetet në tryezën negociuese", theksohet në kumtesën në të cilën shtohet se Athina kërkon "zgjidhje të zbatueshme për qëndrimin në eurozonë".
Propozimi është në formë të letrës, të dërguar deri te kryetari i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, kryetari i Eurogrupit Jerun Dejselblum dhe deri te Klaus Regling, shef i Mekanizmit evropian për stabilitet.
Mesazhi i Qeverisë greke për propozimin e ri vjen disa orë para skadimit të afatit përfundimtar për pagesën e këstit të borxhit të Greqisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përfundimin e programit evropian të planit për shpëtim për Greqinë./mia
