Botë

“Jaysh Al-Islam”, grupi terrorist që po terrorizon ISIS-in

01.07.2015 14:35

ISIS prej muajsh po mbjell terror në Siri e Irak. Por, nuk thonë kot: “ç’të mbjellësh do të korrësh”...

Një grup i ri në Siri po lufton sipas parimit të talionit, “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë” ISIS-in, duke iu përgjigjur terrorit me terror. E vetëquajtura "Jaysh Al-Islam"-Ushtria e Islamit, ka publikuar në internet një video ku propagandon forcën e vet, por edhe pjesë nga ekzekutimi i një grupi personash, që pretendohet se janë ushtarë të ISIS-it.

Në videon e publikuar nga “Jaysh Al-Islam” militantët e ISIS-it, të veshur me të zeza, janë të gjunjëzuar nën këmbët e grupit të pushkatimit të veshur me uniforma portokalli, të njëjta me ato që kemi parë shpesh të veshin viktimat e ISIS-it.

Ata thonë se “Jaysh Al-Islam” përbëhet nga 25 mijë ushtarë dhe ka lindur pas bashkimit të shumë grupeve të vogla që luftonin ISIS-in në Siri. Në video shfaqen disa blinda ushtarakë, përfshirë këtu edhe tanke si dhe një numër të madh ushtarësh.

Por, në pamje të parë duket se përveç rivalitetit, ISIS-in dhe “Jaysh Al-Islam” asgjë nuk i ndan, madje ky i fundit në video sfidon ISIS-n për “sovranitetin e Kalifatit” kur quan veten si “Shteti mëmë” dhe akuzon ISIS-in për blasfemi.

“Ne jemi rruga e vërtetë e xhihadit. Këta të ISIS-it shitën dinjitetin, shitën fenë, bllokuan rrugët e xhihadit, shkatërruan xhamitë tona dhe lanë Teheranin të paprekur”- thuhet në video.

Ka zëra që thonë se grupi financohet fuqimisht nga Arabia Saudite, e cila ndodhet në një rivalitet të përhershëm me Iranin mbi protagonizmin në rajon.