Ekonomi

Kriza greke, Aliu: pak ndikim në ekonominë tonë

01.07.2015 15:40

Kriza greke mund të ketë ndikim ekonomik në Maqedoni, por jo ndikim shqetësues, pasi edhe përkundër pranisë së kapitalit grek në vendin tonë...

Kriza greke mund të ketë ndikim ekonomik në Maqedoni, por jo ndikim shqetësues, pasi edhe përkundër pranisë së kapitalit grek në vendin tonë, ai nuk është në masë aq të madhe sa të shkaktojë ndonjë efekt negativ në ekonomi. Kështu vlerëson eksperti ekonomik, Hamit Aliu. 
 
“Në Maqedoni do të ketë ndikim, por nuk do të ketë ndikim aq të fuqishëm, sepse nuk është kushedi çfarë kapitali i madh investues në Greqi, a në anën tjetër, gjë normale, do të reflektohet te bashkëpunimi i ndërmarrjeve tona me ndërmarrjet greke, sepse tek e fundit gjithmonë një vend fiton nga një vend tjetër nëse ai vend është me ekonomi të fuqizuar dhe në rast krize, duam apo s’duam ta pranojmë, kriza greke në masë jo aq të madhe do të reflektohet në RM”- deklaroi eksperti ekonomik, Hamit Aliu.
 
Një ndërvarësi mes vete në ekonominë e tregut zhvillojnë edhe bankat, por për fat të mirë qytetarët e Maqedonisë, sipas të dhënave, nuk kanë depozita të mëdha në bankat greke. 
 
“Sa i takon sistemit bankar, bankat qendrore e kanë fjalën kryesore dhe në anën tjetër unë nuk besoj se qytetarët kanë depozita të mëdha në bankat greke, ndërsa në anën tjetër edhe bashkëpunimi ndërbankar mund të reflektohet shembull te ato banka që e kanë hyrjen e kapitalit nga bankat greke”- tha eksperti ekonomik, Hamit Aliu.
 
Në përgjithësi, kriza greke do të ketë ndikim më të madh në vendet rajonale me të cilat ka shkëmbim më të madh tregtar dhe ekonomik, që sipas ekonomistit në fjalë, më shumë do të dëmtohet ekonomia e Shqipëria dhe e Bullgarisë.
 
Momentalisht, ajo që duhet të bëjë vendi ynë, sipas Aliut, është zbatimi i mekanizmave adekuate për të mos lejuar influencë më të madhe të krizës greke në vendin tonë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU