Maqedoni

Ndalohen përkohësisht reklamat qeveritare, moratorium deri në plotësim të kritereve për reklamim

01.07.2015 16:53

Qeveria i ndalon përkohësisht të gjitha reklamat qeveritare në mediat komerciale...

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski, paralajmëroi vendosjen e një moratoriumi për të gjitha reklamat qeveritare, i cili do të zgjatë deri në përcaktimin e kritereve të qarta për shpërndarjen e mjeteve buxhetore për reklamim.
 
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, si gjest i vullnetit të mirë, mori vendim që përkohësisht të vihet moratorium i të gjitha reklamave komerciale qeveritare. Kjo do të thotë se të gjitha institucionet qeveritare duhet t’i ndalojnë reklamat e tyre promovuese”- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski.
 
SHGM-ja dhe njohësit e çështjeve mediatike thonë se nuk duhet të ketë fare reklamim qeveritar në Maqedoni, duke marrë parasysh se ai ndikon në pavarësinë e veprimtarisë mediale.
 
Dhe në rast se do të ketë, e gjithë procedura e shpërndarjes së mjeteve buxhetore në mediat duhet bërë transparente dhe në bazë të arritjeve të mediave. 
 
“Moratoriumi i qeverisë do zgjatë derisa nuk arrihet konsensusi në shoqërinë mediatike për atë se si dhe me çfarë mënyre dhe kritere Qeveria do të mund të reklamohet në të ardhmen. Ne na nevojitet të kemi periudhë të ndërprerjes së reklamimeve qeveritare për arsye se në një farë mënyre kjo do të kontribuojë që  të përmirësojmë atë që e dëmtuam në të kaluarën, duhet të shihet se është kulaçi i vërtetë reklamues”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
“Mediat e humbin kredibilitetin e tyre për shkak lidhshmërisë së madhe që kanë me paratë buxhetore. Për këtë duhet të debatojmë. Financimi afatgjatë i mediave me paratë buxhetore e vë në rrezik gazetarinë e pavarur. Unë nuk mund të flas për kriteret e shpërndarjes së mjeteve, sepse jam kundër çdo financimi të fushës, ose çdo lloj reklamimi politik apo qeveritar. Jam e mendimit se mjetet buxhetore nuk duhen të shkojnë te mediat private”- theksoi ekspertja, Snezhana Trpevska.
 
“Është më e logjikshme të debatojmë rreth asaj se si t’i përmirësojmë dhe t’i definojmë kriteret e ardhshme të shpërndarjes së mjeteve buxhetore për reklamim. Shpresoj shumë se debatet e ardhshme të organizuara në këtë drejtim do të japin kontribut të madh në këtë drejtim”- u shpreh drejtori i AShAA, Zoran Trajçevski.
 
Asociacioni Maqedonas i Mediave e braktisi debatin e sotëm me arsyetimin se nuk u lejua fjalim hyrës. 
 
REXHEP QAMILI