Maqedoni
Rasti “Puç”, Zaev: nuk paraqitem në gjykatë, mohoj gjyqësorin
01.07.2015 17:17
Avokatët mbrojtës të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, me ankesa të reja në seancën gjyqësore në procesin gjyqësor “Mitmarrje” në Gjykatën Shkupi 1...

Kërkuan të refuzohet padia me të cilën Zaev ngarkohet për mitmarrje në vlerë prej 163 mijë euro nga bashkëqytetari i tij, Ivan Nikollov, në Strumicë për privatizim të tokës shtetërore ku do të ndërtohej kishë. Avokatët mbrojtës të Zaevit ishin të prerë se nuk ekziston asnjë veprim dhe përfitim material që do të dëshmonte se mitmarrja është realizuar.
“Për atë se nuk janë marrë para nuk do edhe koment. Nëse dikush i ka premtuar para dhe është dashur që t’i marrë, atëherë i akuzuari, Zaevi, do t’i kishte marrë dhe do të vepronte”- deklaroi avokati mbrojtës i Zoran Zaevit, Vane Andreevski.
Zoran Zaev nuk u paraqit në seancën e sotme gjyqësore, pasi nuk e pranon gjyqësorin e vendit. Ai nga selia e partisë së tij deklaroi se nuk do të paraqitet në gjykatë as për rastin “Puç”, pasi gjykata dje mori vendim që Zaev të paraqitet çdo të hënë në seancat gjyqësore.
“Nuk e pranoj gjyqësorin si pushtet të pavarur bazuar në kushtetutë dhe ligje. Gjyqësori është nën kontroll të plotë të Nikolla Gruevskit dhe qeverisë së tij. Nuk do marr pjesë në seancat e caktuara gjyqësore, nuk do të vazhdoj të respektoj masën e caktuar të gjykatës që të paraqitem çdo të hënë në orën nëntë. Me një vendim të tillë gjykata, duke u bazuar në Ligjin për procedurë penale, ka për obligim të shqiptojë masën e paraburgimit dhe të më privojë nga liria. Prej sot e pres këtë vendim të gjykatës. Unë jam në hapësirat e LSDM-së ose në kampin e lirë para qeverisë”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Procesi “Mitmarrje” nisi pas publikimit të video-xhirimit në Youtube, ku pretendohet se Zaevi, në cilësinë e kryetarit të Strumicës, kërkon mitmarrje nga biznesmeni i atjeshëm.
Zaevi ka kërkuar që filmimi të publikohet në tërësi dhe të shihet qartë se a janë marrë me të vërtetë paratë dhe për çka janë dedikuar.
Por, avokatët thanë që video-xhirimet e publikuara cenojnë të drejtën e privatësisë.
Andaj ata kërkuan ato të mos merren si dëshmi për marrjen e vendimit përfundimtar, i cili mund të jetë edhe pesë vite privim nga liria.
MERAL ISMAILI
