Maqedoni
Shtrenjtohen cigaret për 3 denarë, rritja do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme
01.07.2015 17:24
Prej sot, sipas kalendarit të akcizës të cigareve parashikohet rritje e çmimeve të cigareve për 3 denarë...

Në shumë shitore, blerësit që në mëngjes u përballën me çmimet e reja, tek disa lloje madje edhe nga 5 denarë rritje, por shitësit e tjerë nuk i lëvizën që sot çmimet, duke pritur njëherë të mbarojnë sasitë e cigareve që i kanë në dyqan, e më pas, me sasitë e reja prej nesër do të vendosin edhe çmimet e shtuara.
“Momentalisht tek ne çmimi i cigareve ende nuk ka hipur. Prej nesër do të rriten prej 3 deri në 5 denarë, por ende nuk e dimë saktë se sa, por për momentin janë këto çmime ende, nesër kur do të na vijë malli i ri do të na informojnë më mirë”- deklaroi një shitës.
Shtrenjtimi për 3 denarë i pakove të cigareve parashikohet të vazhdojë deri në fillim të korrikut të 2016-tës, pas së cilës në shtatë vitet e ardhshme ata do të rriten për katër denarë.
Ky trend i rritjes së çmimeve, për 8 vite do t’i shtrenjtojë në mënyrë drastike çmimet e cigareve në vend.
Përkatësisht pakoja më e shtrenjtë e cigareve, e cila sot kushton 120 denarë, për 8 vite do të kushtojë 154 denarë.
ERSAN PAJAZITI
