Botë
Kriza greke, dorëzohet Tsipras, pranon kushtet e huadhënësve
01.07.2015 17:36
Ashtu siç bënë të ditur kryeministri grek, Tsipras, dhe ministri i Financave, Athina mbrëmë në mesnatë nuk arriti të paguaj borxhin prej 1.6 miliardë euro që i detyrohej Fondit Monetar Ndërkombëtar...

Paraprakisht, ministrat e Financës të Eurozonës refuzuan zgjatjen e afatit për pagesën e këtij borxhi. Por, ata u mblodhën sërish sot për të shqyrtuar propozimin e ri grek për një hua të re me afat 2 vjeçar.
“Qeveria greke me propozimin e ri shpreh gatishmëri që ta pranojë propozimin e kreditorëve me disa ndryshime, shtesa ose sqarime, si pjesë nga vazhdimi i programit të Fondit Evropian për stabilitet financiar dhe marrëveshjes së re me Mekanizmin Evropian për stabilitet për të cilën sot parashtrojmë kërkesë”.
Kështu thuhet në letrën e fundit më datën 30 qershor që kryeministri grek, Aleksis Cipras, ia ka dërguar kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, kryetarit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragit, dhe drejtoreshës ekzekutive të FMN-së, Kristin Lagard.
Sipas propozimit të fundit të Greqisë, Athina është e gatshme ta pranojë marrëveshjen të përbërë në nivel teknik, me kusht që të mbetet lirimi prej 30 për qind të TVSh për ishujt.
Lidhur me reformat në sistemin pensional, kryeministri grek kërkon që ndryshimi për ndryshimin e kufirit të moshës për pensionim në moshën 67 vjeçare të fillojë të implementohet nga tetori i vitit 2022, e jo menjëherë.
Krahas kësaj, kryeministri grek dëshiron të vazhdojë zbatimin e "klauzolës për zero beneficion" dhe është kundër privatizimit të operatorëve të pavarur për transfer të energjisë elektrike¬ ADMIE.
Po ashtu, Komisioni Evropian e ka vlerësuar të pakuptimtë referendumin e së dielës në Greqi, pasi me atë kërkohet vlerësim i programit të shpëtimit, afati i të cilit skadoi mbrëmë në mesnatë.
Por, zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Dombrovskis, deklaroi se Brukseli ende dëshiron arritjen e marrëveshjes me shtetin grek.
Dyert për të diskutuar rreth programit të ri janë të hapura, tha ai.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se kriza greke nuk do të vinte në rrezik të ardhmen e Evropës dhe refuzoi të kërkonte një kompromis me çdo çmim me Greqinë, e sidomos jo para referendumit të së dielës.
Por, edhe kancelarja gjermane ka thënë se dyert për bisedime me qeverinë greke janë të hapura.
GYLTENE SINANI
