Maqedoni
Manifestimi “Vera e Shkupit 2015”, e pranishme edhe kultura dhe artistët shqiptarë
02.07.2015 15:48
Në kuadër të Manifestimit Ndërkombëtar “Vera e Shkupit 2015”, siç bëjnë të ditur organizatorët...

Në kuadër të Manifestimit Ndërkombëtar “Vera e Shkupit 2015”, siç bëjnë të ditur organizatorët, sonte në Stacionin e vogël do të hapet ekspozita "Nëna e madhe dhe dragoi", në Sulian do të mbahet Festivali i Filmave Dokumentarë Muzikorë, ndërsa në Muzeun e qytetit të Shkupit, koncert do të mbajë Ansambli për Muzikë Moderne “Sonoris”.
Do të performojnë: Lejla Beqiri me flautë, Shkelzen Baftiari në piano, Marijan Milloshovski në fagot, Igor Bakrevski me klarinetë dhe Marijana Naumovska–soprano.
Edhe në manifestimin e sivjetmë nuk do të mungojnë aktivitetet dhe artistët shqiptarë, theksojnë organizatorët.
“Me 10 korrik do të mbahet premiera e filmit shqip në “Kino milenium” në qytetin e Shkupit. Ndërsa një pjesë të aktiviteteve në muzikë, teatër, film dhe ekspozita tanimë është pas nesh, por na presin edhe shumë aktivitete në ditët e ardhshme”- deklaroi drejtori i Drejtorisë për Kulturë-Shkup, Nikolla Gligorov.
Pjesë e manifestimit është edhe Ansambli për Muzikë Moderne “Sonoris”, që është themeluar nga kompozitori dhe drejtori artistik, Vullnet Tairi, në vitin 2007 në Gostivar.
Ansambli është i përbërë prej muzikantëve nga spektri më i gjerë edhe atë: kompozitorë, instrumentalistë, solo këngëtarë, si dhe pedagogë, të cilët janë profesionalizuar në fushën e muzikës moderne.
Në Fakultetin për Art Figurativ “Sulian”, sonte do të mbahet Festivali i Filmave Dokumentarë Muzikorë.
Ndërsa më 3 korrik do të shfaqet koncerti i argjentinasit, Mauricio Anunciata, në Muzeun e qytetit të Shkupit.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
