Maqedoni
Maqedonia, marrëveshje bashkëpunimi në sferën e arsimit me Shqipërinë dhe Kosovën
02.07.2015 16:17
Rivendosja e bashkëpunimit institucional mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në sferën e arsimit dhe shkencës...

Rivendosja e bashkëpunimit institucional mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në sferën e arsimit dhe shkencës, e cila ka munguar më shumë se pesë vite, tani më do të rregullohet me një marrëveshje e cila u nënshkrua nga ministrat e Arsimit, Abdylaqim Ademi dhe Lindita Nikolla.
Akti i nënshkrimit të dokumentit për bashkëpunimit bilateral, që synon të nxitë dhe precizojë fushat në të cilat do të mbështet bashkëpunimi, u bë sot në Vlorë, në kuadër të takimit të katërt ministror me temë “Platforma e Ballkanit perëndimor për arsim dhe trajnim”.
Vend të rëndësishëm në dokumentin e marrëveshjes zënë rregullimi i çështjeve të teksteve shkollore dhe kuadratit arsimor.
Në mënyrë të veçantë përmenden mësimi i gjuhës amtare nga shqiptarët e Maqedonisë dhe maqedonasit e Shqipërisë.
Ndërsa çështja e nostrifikimit të të gjitha dokumenteve, titujve dhe niveleve të shkollimit do të rregullohet përmes një marrëveshjeje të veçantë.
Dokument për bashkëpunim bilateral në sferën e arsimit dhe shkencës për herë të parë u nënshkrua edhe mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Qeveritë e dy shteteve, pra Maqedonisë dhe Shqipërisë, janë dakorduar që marrëveshja me automatizëm do të rinovohet në çdo pesë vjet, në përjashtim të rasteve kur ndonjëra prej palëve kërkon ndërprerjen e saj, si dhe formimi i një këshilli të përbashkët me numër të barabartë anëtarësh, me qëllim zbatimin sa më të suksesshëm.
Pjesë e marrëveshjes është edhe obligimi që marrin ministritë e dy vendeve për të mbështetur bashkëpunimin për realizmin e projekteve në kuadër të programeve “Erasmus Plus” dhe “Horizont 2020”, projekte këto të financuara nga Këshilli i Evropës dhe UNESCO, si dhe të nismave tjera rajonale në fushën e arsimit dhe shkencës.
SANIJE KASAMI
