Botë

Eurozona, të gjitha kontaktet me Greqinë pas referendumit

02.07.2015 17:00

Brukseli nuk do të ketë asnjë takim me Greqinë as në nivel të Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me marrëveshjet financiare deri të hënën...

Brukseli nuk do të ketë asnjë takim me Greqinë as në nivel të Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me marrëveshjet financiare deri të hënën, pasi të ketë përfunduar referendumi dhe pasi të dihen rezultatet.
 
Ky vendim u morr mbrëmë në Bruksel nga ministrat e Eurozonës, duke mbështetur qëndrimin e kancelares gjermane, Merkel.
 
“Nuk do të ketë bisedime të mëtejshme në ditët e ardhshme, as në nivelin e Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me propozimet apo marrëveshjet financiare. Ne thjesht do të presim tani rezultatin e referendumit të dielën dhe do të marrim parasysh atë rezultat. Më vjen shumë keq për situatën e krijuar, duke pasur parasysh vendosshmërinë e fuqishme të popullit grek për të qenë pjesë e Evropës dhe për të mbetur në Eurozonë, për të cilat ne e mbështesim plotësisht”- deklaroi kryesuesi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.
 
Nga ana tjetër, kreu grek ka vazhduar në thirrjen e popullit për t’i thënë “jo” referendumit  të kërkuar nga kreditorët me qëllim që të hënën qeveria greke në bisedime të kërkojë kushte më të mira në interes të qytetarëve. Pas kryeministrit Cipras, me mesazh të njëjtë ka dalë sot edhe kryetarja e Parlamentit grek, Zoi Konstandopulu.
 
“Jo” do të thotë “jo” taktikave dhe praktikave antidemokratike, “jo” ngulfatjes së popullit dhe “jo” mbylljes së bankave, ka pohuar kryetarja e Parlamentit grek.
 
Kreu grek gjithashtu ka porositur qytetarët e Greqisë se votimi “JO” në referendum nuk do të thotë dalje e vendit nga Eurozona, por do të jetë një mundësi e Qeverisë greke për të kërkuar kushte më të mira nga kreditorët ndërkombëtarë.
 
Në një sondazh të publikuar nga e përditshmja “Kathimerini”, 47 për qind e grekëve janë “pro” reformave të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë dhe 43% janë “kundër”, ose thënë ndryshe mbështesin qeverinë.
 
Në këtë situatë, ministri i Financave, Janis Varufakis, ka deklaruar  se nëse kjo ndodh të dielën, ai do të japë dorëheqjen. 
 
Nga ana tjetër e përditshmja italiane “Corriere della Sera” ka shkruar sot se ministri grek i Financave është duke e holluar idenë për monedhën paralele nacionale greke me vlerë të barabartë me valutën euro.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU