Maqedoni

Komiteti debaton zbatimin e MO-së, PDSh: MO dokument i vdekur që në 2004, BDI: nuk e refuzuat kur ishit në pushtet në 2006/8

02.07.2015 17:36

Kritika dhe vetëkritika pati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe debate të nxehta mes pushtetit dhe opozitës shqiptare rreth veprimtarisë së tyre politike...

Deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, përsëriti qëndrimin e PDSh-së se Marrëveshja e Ohrit është e vdekur, pasi BDI nuk ia ka dalë të zbatojë këtë dokument brenda afatit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i zëvendëskryeministrit për zbatimin e MO-së, Musa Xhaferit.
 
“Nuk e refuzuat kur ishit në pushtet”- thekson Xhaferi.
 
Informata për zbatimin dhe realizimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte temë për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike. 
 
“MO është dashtë të mbyllet në vitin 2004, jemi viti 2015. Nga MO janë nxjerrë të gjitha ligjet, s’ka ligj tjetër, është shteruar. Ne si subjekt politik kemi deklaruar shumë herët, në vitin 2004, kur e kemi parë se ku shkon qeveria, BDI-ja që kish marrë përsipër të zbatojë MO-në, thamë se MO është e vdekur”- deklaroi deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
 
“Në vitin 2006-2008 ju erdhët në pushtet. Erdhët si erdhët s’ka rëndësi dhe kishit zëvendëskryeministër për MO-në. Ju nuk e refuzuat atëherë, nuk thatë se ky sekretariat nuk vlen për ne. Ne kemi bërë ndryshime modeste, por ju mbetët duke kritikuar dhe duke vajtuar situatat, dhe kur ju dëgjoj që flisni për pushtetin lokal nuk e di ku e keni atë përvojë. Ju s’keni menaxhuar me asnjë komunë. Jemi parti rivale. Ju jeni parti opozitare, të specializuar për të mbet në opozitë dhe për të kritikuar”- tha zëvendëskryeministri për zbatimin e MO-së, Musa Xhaferi.
 
Ndërkaq, deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu, tha se MO nuk i ka arritur pritshmëritë e shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre.
 
“MO-në, që nuk e kanë lexuar asnjëherë këta të BDI-së, bashkë me LSDM-në dhe VMRO-në, nuk është marrëveshje thjesht për BDI-në, por ishte marrëveshje për një milionë shqiptarë. A marrëveshja e BDI-së, që ju i thoni e Ohrit, është marrëveshje për vetëm 100 funksionarët e BDI-së dhe atë në dëm të një milionë shqiptarëve”- theksoi deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
 
Sipas deputetit, Rafis Haliti, Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e paqes, e cila qëllimisht quhet si Marrëveshje e Ohrit nga subjektet politike, për t’u duk e largët dhe e parëndësishme. 
 
“Jorastësisht them marrëveshjes së paqes, pasi që fitohet përshtypja se kur këtë marrëveshje e emërtojmë Marrëveshja e Ohrit, sikur është ndonjë marrëveshje e nënshkruar në Tunguzi a diku tjetër dhe disi i iket përgjegjësisë apo nuk e marrim me përgjegjësi implementimin e kësaj marrëveshje”- tha deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
 
Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, në tërësi për herë të parë po trajtohet si çështje në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike, deri tani janë trajtuar çështje të veçanta.
 
Seanca e tretë e Komitetit u ndërpre pasi deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, u paraqit në foltore pa i dhënë fjalë kryetari i Komitetit.
 
Pas pushimit, disa nga anëtarët e Komitetit nuk u kthyen në seancë, kështu që vazhdimi i seancës u pezullua në afat të pacaktuar. 
 
SHPËTIM NUREDINI