Botë

UNESCO, fushatë kundër “pastrimit kulturor” nga ISIS

02.07.2015 18:41

Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, mbrëmë ka kërkuar fushatë kundër “pastrimit kulturor”, që po kryhet nga militantët e “Shtetit Islamik”...

Ky grup ekstremist ka shkatërruar thesar arkeologjik në Irak, Siri, Libi dhe Jemen, përfshirë dy mauzole në qytetin e lashtë, Palmira, në Siri.

Shkatërrimi nga militantët e “Shtetit Islamik” të qytetit-kështjellë, Hatra, me histori 2 mijë vjeçare në Irak, që është parë në një video këtë pranverë, ka ndikuar që UNESCO-ja këtë javë ta përfshijë atë në listën e lokaliteteve të “Trashëgimisë së rrezikuar”, ku ndodhet edhe Qyteti i Vjetër i Jerusalemit dhe mrekullitë e tjera arkeologjike.

“Ekstremistët nuk e shkatërrojnë trashëgiminë si dëm sekondar, ata e marrin atë në shënjestër, që në mënyrë sistematike t’i sulmojnë shoqëritë në zanafillën e tyre”- tha drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova.

Kjo organizatë e ka filluar fushatën “Trashëgimia e bashkuar” për t’i mbrojtur lokalitetet historike që janë të kërcënuara nga militantët.

Aktet e shkatërrimit të monumenteve janë të motivuara nga “injoranca dhe budallallëku kriminal”- tha Bokova dhe ka shtuar se “kultura duhet të jetë pjesë e përgjigjes sonë ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.