Maqedoni
Ambasada e ShBA-ve shënoi Ditën e Pavarësisë, Bejli: përkushtojuni vlerave të demokracisë
03.07.2015 14:27
Ambasada amerikane në Shkup festoi 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve, ditëlindjen e 239-të të shtetit që është kthyer në simbolin e demokracisë mbarëbotërore...

Në solemnitet ishin të pranishëm kreu shtetëror i Maqedonisë, politikanë, përfaqësues të bashkësive fetare, të korit diplomatik, përfaqësues të mediave dhe figura të njohura të jetës publike.
I pranishëm ishte edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili për herë të parë pas shume vitesh mori pjesë në shënimin e Ditës së ShBA-ve në Shkup. Ambasadori, Xhes Bejli, potencoi me këtë rast edhe vlerat e demokracisë të cilat, sipas tij, janë kyçe për përparim të një shteti.
"Kombet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ne jemi vende multietnike, të cilat nuk janë të definuara nga një grup etnik dhe një gjuhë. Ky diversitet është burim i fuqisë, e cila në të njëjtën kohë vendos sfida të cilat duhet të vazhdojmë t'i tejkalojmë. "Ne populli" dhe "bashkim më i përkryer" janë frazat të cilat kumbojnë te amerikanët, por gjithashtu kanë të bëjnë edhe me popullin e kësaj demokracie të vogël. Amerikanët janë krenarë që janë miq dhe partnerë të popullit të Maqedonisë, përderisa ata përpiqen të krijojnë demokraci prosperitare, dinamike dhe multietnike"- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Sivjet shënohet edhe 20 vjetori nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes ShBA-së dhe Republikës së Maqedonisë, gjatë të cilave janë shënuar shumë arritje të rëndësishme për të dy vendet.
“Popujt e të dy vendeve tona kanë punuar së bashku në biznes, kanë qëndruar krah për krahë në fushëbeteja, kanë ndarë kultura dhe njohuri përmes programeve për këmbim dhe kanë ndërtuar miqësi të përhershme të themeluara në besim dhe respektim të ndërsjellë"- tha Bejli.
Sivjet ShBA-të festojnë edhe 25 vjetorin e Nënshkrimit të Aktit për Amerikanët me Pengesa.
Me këtë ligj, prej vitit 1990 sigurohen të drejta të barabarta për personat me handikap, duke mundësuar inkuadrimin e tyre në shoqëri.
Ky akt jo vetëm mundësoi të drejta për këta persona, por pasuroi më shumë edhe amerikanët e tjerë që nuk kanë pengesa të tilla, tha ambasadori Bejli.
ERSAN PAJAZITI
