Maqedoni

Takimi i liderëve, katërshja politike e papërgatitur për një takim të ri

03.07.2015 15:06

Vazhdon të mbetet enigmë data se kur do të mbahet takimi i radhës i liderëve, i paralajmëruar në takimin e fundit, më 29 qershor...

Spekulimet se një takim i tillë do të mbahej sot, u hodhën poshtë nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i PDSh-së, Mendu Thaçi, të cilët pohuan se sot nuk do të ketë takim midis liderëve të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSh-së për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike.
 
Sipas kreut të PDSh-së, Menduh Thaçi, takimi për finalizimin e marrëveshjes do të mbahet javën që vjen.   
 
“Ma merr mendja javën e ardhshme”- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Spekulimin për një takim të mundshëm gjatë ditës së sotme e hodhi poshtë edhe Ambasada e ShBA-ve edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Shkup, duke theksuar se një aktivitet i tillë i ambasadorit Bejli, përkatësisht i ambasadorit Orav, për sot nuk është paraparë.
 
Takimi i fundit i liderëve u mbajt më 29 qershor, pas së cilës partitë publikuan një kumtesë me përmbajtje të njëjtë, në të cilën thuhej se liderët e partive kryesore politike u takuam që t’i vazhdojnë bisedimet në lidhje me formën e saktë të Qeverisë që do të organizojë zgjedhjet, siç parashikohet në pikën 6 nga Marrëveshja e 2 qershorit.
 
“Në këtë kontekst, liderët u pajtuan që të takohen përsëri në ditët në vijim”- theksohej në kumtesë.
 
Dhe përderisa nuk është caktuar një datë fikse për takimin e liderëve në format të plotë, spekulohet se Gruvski dhe Zaev kanë realizuar një takim sy me sy dhe janë në kontakt të vazhdueshëm për të dakorduar marrëveshjen, posaçërisht formatin e qeverisë transitore dhe periudhën e dorëheqjes së kryeministrit aktual.  
 
SHPËTIM NUREDINI