Maqedoni

Debat me temë: “Kategoritë e rrezikuara të popullatës në situata të krizave”

03.07.2015 15:31

“Kategoritë e rrezikuara të popullatës në situata të krizave” ishte tema e debatit me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Popullsisë...

Ky debat është pjesë e aktiviteteve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shkup. 
 
Luiza Vinton, përfaqësuese e përhershme e KB-së, për emigrantët të cilët kohëve të fundit po kalojnë përmes Maqedonisë bëri thirrje për respektim të plotë të të drejtave të njeriut për të gjithë personat, pa marrë parasysh atë nëse kanë status të emigrantëve të rregullt ose jo. 
 
"Një numër i madh i emigrantëve po kalojnë nëpër Maqedoni, ata ndodhen në gjendje krize dhe KB-ja dëshiron respektim të plotë të të drejtave të tyre. Ata meritojnë respekt ,"një grua nga 5 prej tyre është shtatzënë dhe ne e falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë që po japin kontribut me kontrollime shëndetësore falas për këtë kategori njerëzish"- deklaroi përfaqësuesja e përhershme e KB-së,¬ Luiza Vinton.
 
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar ekip të mjekëve që të kryejnë kontrolle në Qendrën për Pranim të Emigrantëve në Gazi Babë, ekip të mjekëve që të kryejnë dezinfektim dhe deratizim të Qendrës së Pranimit në Gazi Babë në partneritet me Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri nga Shkupi dhe Organizatën Joqeveritare "HERA".
 
"Të rinjtë, vajzat, gratë, gratë shtatzëna dhe fëmijët janë kategori posaçërisht të rrezikuara të popullsisë në kushte krize dhe u ekspozohen dhunës së rritur, vdekshmërisë amësore dhe bartjes së infeksioneve transmetuese seksuale, si HIV dhe SIDA”- tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.
 
Sasho Taleski, udhëheqës i sektorit në Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë, tha se edhe "Kryqi i Kuq siguron mbështetje përmes ekipeve mobile në terren për këtë kategori të popullsisë në shtrirjen nga Gjevgjelia e deri në Kumanovë".
 
GYLTENE SINANI