Maqedoni
Ahmeti–Engel: kriza të zgjidhet dhe vendi t’i kthehet rrugës euroatlantike; Thaçi-Engel: përveç krizës u bisedua edhe për çështjen e emrit
03.07.2015 16:16
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, sot realizuan takim me kongresmenin amerikan, Eliot Engel...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, sot realizuan takim me kongresmenin amerikan, Eliot Engel, ambasadorin e ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, dhe përfaqësues prominentë të komunitetit shqiptaro-amerikan në ShBA.
Kryetari Ahmeti falënderoi mikun e madh të shqiptarëve, Eliot Engel, për kontributin e madh për çështjen shqiptare në Ballkan dhe theksoi që mirënjohja shqiptare për rolin amerikan do të trashëgohet ndër breza.
Engel e quajti Ahmetin mik të vjetër dhe bashkëpunëtor në aktivitetet e përbashkëta në rajon, si dhe theksoi që 27 vjet pareshtur ka punuar për çështjen shqiptare në Ballkan.
Kryetari Ahmeti foli për krizën politike aktuale në vend dhe tha që liderët duhet ta tejkalojnë vetën dhe të mendojnë për shtetin.
Reformat që nevojiten për ta bërë shtetin më të fuqishëm dhe institucionet më me integritet dhe më të besueshme tashmë janë pranuar nga të gjitha palët dhe duhet të zbatohet me konsensus shoqëror.
Pjesë e agjendës së dakorduar midis liderëve gjithashtu janë edhe marrëdhëniet ndëretnike, Marrëveshja e Ohrit, marrëdhëniet me fqinjët dhe integrimi euroatlantik.
Ndërsa kjo situatë që ka mbetur akoma pa u zgjidhur në lidhje me ndarjen e pushtetit midis dy partive politike maqedonase duhet të tejkalohet nga dy liderët maqedonas sa më shpejtë në interes të vendit dhe të qytetarëve.
Kryetari Ahmeti foli për rëndësinë e zgjidhjes së krizës në mënyrë që të rikthehemi në agjendën prioritare të vendit, atë të integrimit në NATO dhe në BE, dhe për këtë kërkoi ndihmën e drejtpërdrejt dhe urgjente të autoriteteve amerikane që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE.
Procesi i suksesshëm integrues relakson marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mundëson paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme bashkë me zhvillim ekonomik.
Ndërkohë, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, tha se përveçse për tejkalimin e krizës politike është biseduar edhe për debllokimin e procesit integrues.
“Bisedohet për çështjen e krizës politike, por çështja kryesore që tangon shqiptarët, ShBA-të dhe NATO-n është debllokimi i procesit integrues. Unë dhashë përshtypjet e mia që pata në takimin me ministrin e Jashtëm të Greqisë, nuk kisha përshtypje se ai kishte pozicione shumë radikale dhe ramë dakord që ne do të provojmë edhe këtë çështje në kuadër të bisedimeve për krizat politike, ta rrumbullakojmë deri në fund”- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
“Besoj se javën e ardhshme do të kemi zgjidhje të krizës”- tha Thaçi, sipas të cilit, PDSh-ja nuk është e interesuar për qeveri kalimtare, politike, teknike, por është e interesuar që të marrë pjesë në institucionet e sistemit për të organizuar zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Ai më tej shtoi se çështja e parë e cila do të bisedohet është edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe.
Po ashtu, sipas tij, koordinatori i partisë ka kërkuar që në kuadër të dialogut të futet nocioni juridik që buxheti të votohet me shumicën e deputetëve shqiptarë dhe jo me Badenter, dhe se nuk e ka idenë se pse BDI-ja ka frikë nga kjo edhe pse e ka shumicën e deputetëve shqiptarë.
Sipas Thaçit, Maqedonia për t`u futur në NATO duhet që ta ndryshojë emrin, ndërsa emri i ri nuk guxon që të mbajë shenja sllave.
FLUTURA LATIFI
