Botë
Nis ndërtimi i Gazsjellësit Trans-Adriatik, Rama: në projekt përfshijmë edhe Kosovën
03.07.2015 18:02
Gazsjellësi Trans-Adriatik, investimi më i madh në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për nga vlera, por edhe rëndësia strategjike, filloi zyrtarisht sot...

Projekti e shndërron Shqipërinë në një nyje të furnizimit me gaz për rajonin e më gjerë.
Kryeministri Rama e ka cilësuar projektin si një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar.
Në 3 vitet e ardhshme, vetëm nga ky investim prodhimi i brendshëm kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit dhe ekonomia jonë, vetëm nga ky projekt, do të përfitojë 1 miliard euro në 20 vitet në vijim, u shpreh Rama.
Aktualisht, Shqipëria po kryen studimin e masterplanit të gazit dhe atë të fizibilitetit për ndërtimin e rrjetit lokal të gazit. Por, kryeministri Rama njoftoi edhe për një tjetër projekt, për ta kthyer TAP-in në një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu edhe për Kosovën.
“Ndërtimi i një segmenti të TAP-it deri në Kosovë do të përbëjë “de facto” autostradën e dytë energjetike mes dy vendeve tona, pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë, që po ecën me shumë shpejtësi, me cilësi të lartë dhe pa diskutim që do të jetë gati vitin e ardhshëm”- u shpreh Rama.
Gazsjellësi Trans-Adriatik është një investim, i cili, sipas FMN-së, do të rrisë potencialin e ekonomisë shqiptare për t’u zhvilluar më shpejt.
Projekti pritet të hapë mijëra vende të reja pune, por mbi të gjitha rrit fort rolin gjeostrategjik të Shqipërisë në Evropë.
