Maqedoni
Engel: ShBA-të përkrahin Maqedoninë në zgjidhjen e krizës
03.07.2015 18:17
SHBA-të gjithmonë kanë qenë mike e Maqedonisë dhe do të vazhdojnë ta përkrahin vendin në zgjidhjen e krizës, por edhe në integrimin e saj në BE...

Kështu deklaroi kongresmeni, Eliot Engel, pas takimit të tij me kryeministrin, Nikolla Gruevski. Lidhur me mundësinë e zgjidhjes së krizës, kongresmeni Engel tha se nuk ka sjellë me vete ndonjë këshillë për kreun e qeverisë, por sugjeron që kriza të zgjidhet sa më shpejt.
“Nuk kam ndonjë këshillë për kryeministrin Gruevski apo për dikë tjetër, por vetëm mund të them se kriza duhet të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur, sepse sa më shumë që zgjatet, aq më rëndë do të mund të zgjidhen problemet reale. Për atë shpresoj se kjo do të arrihet sa më shpejt që është e mundur”- deklaroi kongresmeni amerikan, Eliot Engel.
I pyetur se si do të ndikojë kriza greke në zgjidhjen e çështjes së emrit, Engel tha se kjo çështje mund të zgjidhet me kompromis, por, sipas tij, ky konflikt ka mbetur i hapur për kohë të gjatë pa zgjidhur.
“Për herë të parë kam qenë në Maqedoni në vitin 1993 dhe atëbotë me kryetarin Gligorov patëm diskutuar për çështjen e emrin dhe patëm shprehur mendim se kjo çështje shpejt do të zgjidhet. Tani jam këtu dhe çështja e emrit akoma nuk është zgjidhur. Besoj se tani kur Greqia ballafaqohet me krizë të brendshme, të kuptojnë të gjithë se vendi ka punë më të komplikuara se çështja e emrit. Por, gjithsesi besoj se palët do të arrijnë kompromis dhe të zgjidhin çështjen”- tha kongresmeni, Eliot Engel.
NERMIN MULAKU-FEJZULLAHU
