Maqedoni
Vlorë - takim i katërt ministror, investimet në arsimin e lartë, inovacionet, arritjet dhe sfidat
03.07.2015 18:24
Investimi në arsimin e lartë për inovacione, arritjet dhe sfidat ishin temat për të cilat diskutuan ministrat e Arsimit të Rajonit në kuadër të takimit të katërt ministror...

Investimi në arsimin e lartë për inovacione, arritjet dhe sfidat ishin temat për të cilat diskutuan ministrat e Arsimit të Rajonit në kuadër të takimit të katërt ministror, që vazhdon të mbahet edhe sot në Vlorë të Shqipërisë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, me këtë rast theksoi se është themeluar fond i veçantë për inovacione të cilat jepen për aplikuarës të cilët do të evaluohen nga një komision i pavarur në prezencë të ekspertëve ndërkombëtarë.
“Misioni i fondit është nxitja dhe mbështetja e veprimtarisë inovative tek ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme dhe ndërmarrje të reja, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit teknologjik, i bazuar në përcjelljen e njohurive, hulumtimin zhvillimor dhe inovacione që kontribuojnë në rritje dhe zhvillim ekonomik, por edhe në përmirësimin e klimës afariste për zhvillimin e aftësisë konkurruese të kompanive”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi vlerëson se pikërisht strategjia hulumtuese zhvillimore e Ballkanit Perëndimor hap një mundësi të veçantë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit.
Ndryshe, dje po në kuadër të këtij takimi, ministri Ademi nënshkroi dokument për bashkëpunim në sferën e arsimit dhe shkencës me Shqipërinë dhe Kosovën.
SANIJE KASAMI
