Mediat serbe raportojnë se turistët çekë u vranë në Kosovë, demanton policia kosovare

04.07.2015 13:53

Mediat serbe, e posaçërisht ato shumë të afërta me pushtetin, me apo pa qëllim, e kanë huq në total lajmin për vrasjen e turistëve çek, duke menduar se kjo vrasje ka ndodhur në Dukagjin të Kosovës...

Lajmi është i fabrikuar në atë mënyrë, saqë mediumi serb Kurir, për vrasjen e dy turistëve çek, shkruan se ka raportuar Policia e Kosovës.

Gjithashtu në foton ilustruese shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke aluduar në vendin e ngjarjes.

Mirëpo ka reaguar shumë shpejt Policia e Kosovës ndaj kësaj dezinformate.

“Me qëllim, informimin e drejt të opinionit publik lidhur me disa shkrime të publikuara sot me (04.07.2015) në disa portale të ndryshme, kryesisht serbe të cilat raportojnë se “turistët çekë u vranë në Kosovë”, reagon ndaj këtyre shkrimeve të pavërteta dhe sqaron me sa vijon: Lajmi duke përfshirë edhe foton ilustruese ku shihen pjesëtarët e Policisë së Kosovës duke aluduar kinse në vendin e ngjarjes, është i fabrikuar në atë mënyrë, saqë mediumi serb ‘Kurir’, për vrasjen e dy turistëve çekë, shkruan se ka raportuar Policia e Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Rasti i vrasjes së dy turistëve çekë, të cilit i referohen këto mediume kryesisht serbe, në bazë të informacioneve që ne posedojmë ka ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në fshatin Prekal të Shkodrës, e jo në Dukagjin të Republikës së Kosovës, siç potencohet në ato mediume serbe, njofton PK.

“Po ashtu edhe pjesa e lajmit e ilustruar me fotografi dhe kinse i raportuar nga Policia e Kosovës nuk qëndron, pasi që Policia e Kosovës nuk raporton për rastet që ndodhin jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e PK-së, përcjell koha.net. Në fund, Policia ka një apel.

“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkrete nga disa mediume serbe, pasi që ne jemi të gatshëm të ju informojmë drejt për të gjitha rastet që ndodhin në Kosovë”.

Sulmi ndaj turistëve ndodhi rreth orës 20:15 të së premtes. Çifti i turistëve çekë kishin zgjedhur Shqipërinë si destinacion të veçantë për t’u eksploruar në turin e tyre nisur në Ballkan, por aventura e tyre u ndërpre tragjikisht pasi u qëlluan me breshëri kallashnikovi në makinën e tyre. Policia ka arrestuar deri tash 30 persona, ndërsa ndaj tre prej tyre rëndojnë dyshime të forta se janë kryesit e veprës. Njëri prej tyre ishte në makinë në momentin e vrasjes.

Policia shqiptare ka ofruar 30 mijë euro shpërblim për informatorët që do të çonin në kapjen e dorasëve.