30 mijë euro shpërblim për informacion mbi vrasësit e dy turistëve çekë
Policia e Shqipërisë ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve të zonës ku u vranë turistët çek për identifikuar autorët e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë...

Uniformat blu kanë vënë në dispozicion 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione në lidhje me autorët, duke garantuar ruajtjen e anonimatit.
Të gjithë personat që kanë të dhëna, -thekson Policia në njoftimin e saj, - të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694103984.
“Hetimet drejtohen nga Prokurori Besnik Cani dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Përgjithshme për Rendin dhe Sigurinë Publike. Grupi hetimor po vijon veprimet i kryesuar nga prokurori ku po vazhdon këqyrja e vendit të ngjarjes , e automjetit si dhe fiksimi i provave në vendngjarje. Policia e Shkodër , e mbështetur edhe nga grupe të FNSH , po vijon krehjen e zonës , ku aktualisht deri tani janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër rreth 30 persona të cilët po pyetën për rrethana të hetimit. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e banorëve të zonës për evidentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë”, thuhet në njoftimin e policisë. (shqiptarja)
