239 vjetori i pavarësisë së SHBA-ve

Në Prishtinë ngritet flamuri amerikan

04.07.2015 18:05

SHBA-të shënojnë sot 239 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë...

4 korriku është festë kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shënohet në shenjë të kujtimit të nënshkrimit të Deklaratës për pavarësinë nga ana e Kongresit kontinental më 4 korrik të vitit 1776 në Filadelfia, shteti federativ i Pelsivanisë.

Për nderë të pavarësisë Ambasada e SHBA-ve shoqata “Miqtë e Amerikës” ka ngritur sot flamurin e Amerikës në sheshin Bill Clinton, në Prishtinë.

Drejtori i Ambasadës Amerikane në Kosovë, Jefferey Jamison tha se është i lumtur që po i bëhet një nder i veçantë shtetit të tij nga Miqtë e Amerikës.

“Sot është një ditë e veçantë, e falënderoj shoqatën “ Miqtë e Amerikës” për këtë rast dhe në veçanti është një nder i veçantë për ne që mund të kujtojmë dhe të shënojmë këtë rast këtu në Kosovë që të mund të kujtojmë idetë e lirisë, e pavarësisë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë” , tha Jamison.

Njëjtë edhe përfaqësuesi i shoqatës Miqtë e Amerikës, Agim Rexhepi tha se po i zhvillojnë këto aktivitete me qëllimin që të falënderojmë Amerikën për gjithë kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës.