Kulturë
Në Vjenë hapet sonte ekspozita e tretë ndërkombëtare e piktorit Agron Saliu
06.07.2015 09:56
Pas shumë ekspozitave personale dhe kolektive në Maqedoni dhe pas ekspozitave të suksesshme ndërkombëtare të piktorit nga Tetova, Agron Saliu në Paris dhe Berlin...

Pas shumë ekspozitave personale dhe kolektive në Maqedoni dhe pas ekspozitave të suksesshme ndërkombëtare të piktorit nga Tetova, Agron Saliu në Paris dhe Berlin, ai për herë të parë artin e tij sonte do ta ekspozojë në Vjenë të Austrisë.
Pas suksesit të ekspozitës personale në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, Agron Saliu ka qenë i ftuar për ta paraqitur të njëjtën ekspozitë në galerinë "Kunstraum Wien Mitte" në Vjenë të Austrisë.
Ai në këtë ekspozitë e cila do të hapet sonte dhe do të mbahet deri më datën 18 të këtij muaji vjen me 12 piktura në të cilat kryesisht është pasqyruar portreti i gruas. Cikli në të cilat është përshfaqur portreti i gruas quhet "Në pritje".
"Unë vlerësoj që ky hap të jetë një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time, për shumë arsye. Fakti më i rëndësishëm është se veprat e mia janë përzgjedhur nga kuratorët e Galerisë së Vjenës dhe Komisioni i Ministrisë së Kulturës", tha Saliu.
Arti i piktorit tetovar është një lloj ure që çon në mirëkuptim në mes kulturave dhe vendeve të popujve të ndryshëm. Ai për adhuruesit e pikturave thotë se kur blejnë nga artistët e pavarur blejnë më shumë se një pikturë, blejnë pjesë nga zemra, shpirti dhe jeta.
"Kur blini nga artistët e pavarur, blini më shumë se një pikturë, fjalë ose poezi. Blini njëqind orë eksperimente dhe po aq më shumë gabime. Blini ditë, javë, muaj dhe vite frustrime dhe momente të çiltra gëzimi. Blini netë të mbushura me mërzi. Nuk blini vetëm sende, blini pjesë nga zemra, pjesë nga shpirti, pjesë nga jeta", shprehet Saliu.
Ekspozita e Saliut në Vjenë realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë.
Agron Saliu ka lindur në vitin 1984 në Tetovë. Ai u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Fakultetin e Arteve me fokus në pikturë./mia
