Futboll
Messi ka refuzuar çmimin e futbollistit më të mirë në Kupën e Amerikës
06.07.2015 14:41
Lionel Messi ka refuzuar të marrë çmimin e lojtarit më të mirë të Kupës së Amerikës...

Pas finales së humbur ndaj Kilit në goditjet e 11-metërshave, sulmuesi i Argjentinës, nuk ka pranuar ta marrë këtë çmim individual, duke i detyruar organizatorët që ta zhduknin këtë kupë nga skena e ngritur për fituesit.
Gjithçka është zbulur nga mediat argjentinase, që shkruajnë se pak minuta pas përfundimit të finales, ndërsa Messi po ecte i zhgënjyer në fushën e blertë, iu komunikua se ishte shpallur lojtari më i mirë i turneut.
Por, reagimi i tij i ka lënë të çuditur organiztarorët, që nuk kishin planifikuar një plan B. 4 herë fituesi i Topit të Artë ua kishte bërë të qartë se nuk do të ngjitej në skenë për ta tërhequr këtë çmim.
Në këto kushte, Kupa e Amerikës në edicionin e fundit nuk dha një çmim të rëndësishëm, sepse Lionel Messi ka menduar se nuk e meriton, përderisa nuk arriti ta shpallte Argjentinën kampione të turneut.
Messi ka përjetuar një situatë të ngjashme edhe në Botërorin Brazil 2014, teksa pa shumë dëshirë u detyrua të merrte çmimin e lojtarit më të mirë të Botërorit, pas disfatës në finale me Gjermaninë.
