Maqedoni

MPPS me konkurse të reja, vetëpunësim i qytetarëve me kreditim

06.07.2015 14:47

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencia e Punësimit hapin 4 konkurse të reja për vetëpunësim të qytetarëve me kreditim...

Afati i konkursit do të zgjasë deri në fund të këtij muaji dhe në të janë paraparë të stimulohen qytetarët që kanë ide për të hapur biznes dhe kompanitë që dëshirojnë të zgjerojnë punësimet e tyre. 
 
“Bëhet fjalë për kredi shumë të volitshme. Të gjithë qytetarët të cilët kanë ide për të hapur biznes dhe të gjitha kompanitë ekzistuese kanë të drejtë të aplikojnë për këtë kredi. Prej 3 deri më 7 mijë euro lëviz kredia për projektin për vetëpunësim dhe nga 3 ose 4 mijë euro për hapjen e një vendi të punës. Të grumbulluara të gjitha këto kredi lëvizin prej 5 deri më 23 mijë euro”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Një ndër kompanitë më të mëdha shfrytëzuese të masave të punësimit është “Dauti Komerc”.
 
Kjo kompani vetëm për këtë vit ka punësuar rreth 76 persona, prej të cilëve 31 prej tyre janë punësuar me masat stimuluese të qeverisë. 
 
“Këto masa janë shumë të mira, janë përkrahëse sidomos për kompanitë që kanë zhvillim të shpejtë ekonomik, sidomos në hapjen e reparteve të reja ka nevojë për përkrahje, duke marrë parasysh se faza fillestare e një sektori, e një reparti është shumë e mirëseardhur për ne”- tha biznesmeni, Xhemail Dauti.
 
Kreditë e paralajmëruara për vetëpunësim dhe për financim të kompanive janë me 1 për qind interes bankar dhe mundësojnë 1 vit e gjysmë grejs-periudhë, ndërsa kthimi i kredisë duhet bërë në afat prej 5 deri më 7 vjet. 
 
REXHEP QAMILI