Gjykata e Apelit, anulohet seanca e “Monstrës” për në shtator
Gjykata e Apelit në Shkup anuloi seancën publike në të cilën duhej të shqyrtojë ankesat e të dënuarve në rastin e ashtuquajtur “Monstra”, për shkak se nga burgu i Idrizovës nuk ishin sjellë dy të dënuarit tjerë të cilët në kohën e duhur dhe të rregullt kishin marrë ftesat...

“Gjykata deri në këtë moment nuk ka njoftim se pse nga burgu i “Idrizoves” nuk janë sjellë Agim Ismailoviq dhe Haki Haziri, dhe për këtë nuk ka kushte për mbajtjen e seancës publike”- konstatoi gjyqtarja, Lilana Ivanovska Shopova, kryetare e Këshillit Gjyqësor pesëanëtarësh.
Vendimi i gjykatës që seanca e radhës të mbahet më 11 shtator ka befasuar edhe familjarët edhe avokatet të cilët kanë pritur që seanca dëgjimore të caktohet në afat sa më të shkurtër kohor, pasi që bëhet fjalë për rast i cili zgjatë shumë dhe ku janë shqiptuar dënimet maksimale.
“U anulua seanca për më datën 11 shtator 2015, arsyeja ishte se pse nuk ishin dy të akuzuar që gjenden në burgun e Idrizovës dhe që mungonte një kolegu yni. Më habit pse është caktuar për më 11 shtator, që sipas meje ka mundur të anulohet edhe për ketë muaj, sepse e dinë që lëndët e paraburgimit nuk kanë pauzë për pushimet verore. Më habit me të vërtetë fakti që për aq interval kohor të anulohet dhe nuk shoh arsye për këtë moment”- deklaroi avokati, Naser Raufi.
“Nuk është në dorën tonë ne t’i sjellim të akuzuarit në bankën e gjykatës, por ajo është detyrë e institucioneve shtetërore. Kjo nuk ka ndodhur që njërit prej avokatëve mbrojtës t’i dërgojnë ftesë për t’u mbajtur seanca gjyqësore. Kjo nuk është bërë, por do të ishte e kuptueshme, po e potencoj, sikur të shtyhej në një afat shumë të shkurt, por kjo nuk ndodhi. E shihni se seanca është shtyrë për 11 shtator, duke mos pasur parasysh se njerëzit ende janë në paraburgim dhe po vuajnë”- theksoi familjari, Bedri Ajdari.
Sa i përket “bombës” së paralajmëruar për rastin “Mostra”, Ajdari thotë se do të zbulohet e vërteta e cila do të jetë në interes jo vetëm të të dënuarve, por edhe të familjeve të djemve të vrarë.
Në seancë dëgjimore morën pjesë të burgosurit, Fejzi Aziri i cili u soll nga burgu i Shtipit dhe Sami Luta nga burgu i Shkupit. Ndërsa për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, që po vuajnë dënimin me burg në Kosovë, thirrjet ishin vendosur në tabelën e shpalljeve.
Më 11 shtator do të lexohet aktgjykimi i shkallës së parë i të dënuarve për rastin “Monstra” dhe më pas do të elaborohen ankesat dhe gjykata do të vendosë se çfarë aktvendimi do të sjellë më tutje. (Sanije Kasami, TVM2)
