Itali, temperaturat mbi 40 gradë

06.07.2015 16:02

Deri të mërkurën, në Itali termometri do të shënojë mbi 40 gradë celsius, ndërsa e gjithë Evropa ka hyrë ngadalë në darën e një të nxehti përvëlues...

Autoritetet vendase kanë nisur marrjen e masave kundër vapës dhe në vazhdën e tyre, turistëve e kalimtarëve në kryeqytetin Romë iu shpërndanë 20 mijë shishe uji. Mbi 35 persona janë shtruar në spital në Xhenova, pjesa dërrmuese e të cilëve të moshuar.

Ndërkohë, dy persona të moshave 60 dhe 76 vjeç vdiqën në Bergamo për shkak të problemeve nga i nxehti që i ka goditur në rrugë.

Ndërkohë, 40.3 gradë celsius tregoi termometri në qytezën bavareze, Kitzigen, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në atë vend, sipas “Stuttgater Nachrichten”.  Spanja dhe Portugalia po bëjnë llogaritë me zjarret.

Mbi 1.350 vetë u evakuuan në Aragone të Spanjës, ndërsa disa vatra zjarri janë lokalizuar në pyjet e Alkobertas, në veri të Lisbonës. Meteorologët parashikojnë që vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë të zgjasë të paktën edhe për një javë tjetër në gadishullin iberik.