Zaev nuk u paraqit sot në gjykatë
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deri në kalimin e afatit, sot në orën 12 nuk është paraqitur te gjykatësi kompetent në Gjykatën e Strumicës...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deri në kalimin e afatit, sot në orën 12 nuk është paraqitur te gjykatësi kompetent në Gjykatën e Strumicës, duke mos i respektuar kështu masat e kujdesit si i akuzuar në rastin “Puç”.
Lidhur me këtë, Gjykata e Strumicës ka dërguar një informacion në formë të shkruar deri te Gjykata Themelore Shkupi 1, që drejton rastin kundër Zaevit.
“Gjykata themelore në Strumicë nuk është kompetente për këtë rast kundër Zoran Zaev. Gjykata ka kompetenca nëse ai nuk paraqitet në terminin e caktuar, gjegjësisht nëse nuk i respekton masat e kujdesit ta njoftojë Gjykatën Themelore Shkup 1. Pasi që sot në orën 12 kaloi ai afat, ne dërguam një letër deri në Shkup, ku njoftuam Gjykatën Themelore 1 se personi kundër të cilit po udhëhiqet një procedurë penale nuk është paraqitur në gjykatë. Nuk e dimë se sa shpejtë letra do të arrijë në Shkup. Gjykata Themelore Shkup 1 ka kompetenca, pasi që ta marrë njoftimin, të vendos se çfarë masa do të ndërmarrë”- njoftojnë nga Gjykata Themelore në Strumicë.
Por, në Gjykatën Themelore Shkupi 1 thonë se ende nuk ka arritur asnjë informacion nga Gjykata Themelore në Strumicë.
Nëse marrim ndonjë njoftim, të njëjtën do ta nisim tek gjykatësi kompetent ose Këshilli Gjyqësor për procedurë të mëtutjeshme.
Gjykatësi ose këshilli më pas veprojnë në bazë të mundësive ligjore dhe nëse sillet ndonjë vendim i tillë, në mënyrë plotësuese do të informoheni, njoftojnë nga Gjykata në Shkup.
Pas mosparaqitjes në gjykatë, Zaev rrezikon shqiptimin e masës së paraburgimit.
GYLTENE SINANI
