Referendumi “jo” grek ka komplikuar punët në Bruksel

06.07.2015 17:26

Referendumi negativ ka komplikuar punët në Bruksel...

Edhe pse sot valuta euro është stabile dhe nuk është shënuar ndonjë devalvim, por megjithatë pas situatës në Greqi mund të paraqiten komplikacione brenda pako-masave të BE-së. Kështu ka deklaruar nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovski.

“Siç bëri të ditur kryetari i KE-së, Junker, institucionet tjera dhe eurogrupi se referendumi “jo” e ka bërë zgjidhjen e problemit më të komplikuar. Komisioni Evropian edhe më tej dëshiron të gjejë zgjidhje, por që të vazhdojmë tutje na nevojitet mandat nga eurogrupi. Në samitin e nesërm do të përcaktohen opsionet, pas referendumit me përgjigje negative. Që të jemi të suksesshëm nevojitet që  të dyja palët të sillemi seriozisht dhe me përgjegjësi në  zgjidhjen e situatës"- deklaroi nënkryetari i KE-së, Valdis Dombrovski.

Se cilat do të jenë pasojat e referendumit grek, apo a do të mbetet Greqia brenda Eurozonës do të deklarojë nesër në Strasburg personalisht kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker. Paraprakisht ai do të zhvillojë debat me anëtarët e eurogrupit dhe të Bankës Qendrore Evropiane lidhur me pasojat e referendumit dhe për stabilitetin financiar ekonomik të Greqisë.

Ndërkaq, ministri i Financave, Mishel Sapan, ka deklaruar se përkrahja e madhe që greket i dhanë kryeministrit është rëndë të interpretohet, por ajo që mund të thuhet është se drejtuesit e Eurozonës  duhet të mblidhen dhe të diskutojnë këtë çështje me rëndësi.

Ndërkaq, siç kumtojnë nga pallati presidencial i Francës, sonte kryetari Hollande do të takohet me kancelaren Merkel për të diskutuar mbi një zgjidhje afatgjate të Greqisë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)