Maqedoni
Kriza politike, liderët nuk u takuan as sot, pritet të mblidhen brenda javës
06.07.2015 17:33
Pas dështimit të takimit të sotëm të liderëve, pritet që brenda javës të mbahet takimi i radhës...

Gjatë takimit pritet të arrihet marrëveshje konkrete për dalje nga kriza politike, apo të thuhet se bisedimet dështojnë.
Opozita nuk duket optimiste, siç thonë nga LSDM-ja, për shkak të mosgatishmërisë së kryeministrit Gruevski për të pranuar kompromisin e propozuar.
Koha e tërheqjes së kryeministrit Gruevski si dhe çështjet lidhur me ministrin e Brendshëm dhe prokurorin publik mbeten pikat më problematike në këto bisedime për të cilat palët nuk arrijnë dot kompromisin.
Në një situatë të tillë, palët nuk kursejnë as akuzat e ndërsjella. Zaev sqaroi mbrëmë se për disa linja të kuqe LSDM-ja nuk lëshon pe. Argumentet janë në anën tonë.
“Qëndrimet tona janë gjendjet e vërtetuara në të gjitha raportet e fundit të Departamentit të Shtetit, të grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Rajnhard Pribe, të Kombeve të Bashkuara. Fundi i Gruevskit ka ardhur, largimi i tij është çështje modaliteti”- theksoi Zaev.
Më herët, kryeministri Gruveski e akuzoi liderin e opozitës se përmes parashtrimit të kushteve të palogjikshme përpiqet të pengojë arritjen e marrëveshjes.
Madje, sipas Gruevskit, Zaevi, duke e zgjatur periudhën e krizës politike, dëshiron të dëmtojë edhe ekonominë e vendit, me qëllim që qytetarët të fillojnë të dëshpërohen nga VMRO-ja.
Ndërkohë, lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka deklaruar se bisedimet nuk do të kenë sukses nëse liderët nuk merren vesh për emrin.
Zvarritja e procesit të arritjes së marrëveshjes sipas burimeve nga bisedimet nuk ka të bëjë me vizitën disa orëshe të ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland, javën e ardhshme në Shkup.
Edhe për LSDM-në është e pranueshme që të pritet. Në rast se arrihet marrëveshje kjo do të nënkuptonte kthimin e opozitës në kuvend, ku do të votohej qeveria e re.
Nëse bisedimet dështojnë, nga LSDM kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me publikimin e “bombave”.
MERAL ISMAILI
