Shumica parlamentare po mbikëqyr përgjimet

06.07.2015 17:58

Komisioni për mbikëqyrjen mbi zbatimin e masës së veçantë hetimore, ndjekjen e komunikimeve nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë për Polici Financiare, Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Mbrojtjes filloi me punë edhe pse ky komision është një nga mekanizmat e opozitës parlamentare për kontroll mbi pushtetin...

Seancën e komisionit e ka caktuar vetë kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, i cili gjithashtu kishte autorizuar një deputet të VMRO-DPMNE-së për të kryesuar me seancën e këtij trupi punues.

Funksioni i këtillë u kontestua nga deputetja e pavarur në opozitë, Sollza Gërceva.

“Nuk mundet këtë komision ta udhëheq pushteti. Nuk mundet. Do të rezultojë një punë formale, që nuk është qëllimi i këtij komisioni. Jo rastësisht këtij komisioni i është dhënë që shumicën dhe kryesimin ta ketë opozita. Unë jam anëtare dhe pranoj të jem anëtare, por nuk mendoj se ky komision mund të punojë juridikisht në mungesë të opozitës dhe tani edhe ja edhe kryesuesi është nga pushteti. Si ka mundësi?!”- tha deputetja e pavarur në opozitë, Sollza Gërceva.

Komisionin e drejtoj me autorizim nga kreu i Kuvendit dhe kjo nuk do të thotë se gjithmonë unë do të kryesoj me këtë trup punues, u arsyetua Pavle Sazdov, kryesueses me Komisionin.

“Kryetari i Kuvendit merr vendim ad hok, ai personalisht i cakton seancat dhe ai delegon se kush do të kryesojë me atë seancë. Në këtë rast më ka deleguar mua, ndoshta në të ardhmen do të jetë dikush tjetër nga anëtarët e komisionit, s’do të thotë se gjithmonë do të jem unë kryesues me këtë trup punues”- theksoi kryesuesi me komisionin, Pavle Sazdov.

Ndërkaq, deputeti, Talat Xhaferi, përveç që u pajtua me vërejtjet e deputetes Gërceva sa i përket funksionimit të komisionit në mungesë të opozitës, ai shtoi edhe vërejtjen se edhe me propozim-rregulloren e re vështirësohet efikasiteti i këtij trupi, pasi nismat për të marrë vendim për mbikëqyrjen e përgjimeve nga institucionet përkatëse i propozon kryetari i këtij komisionit.

“Mendoj që kjo ka qenë një prej defekteve të aspektit operacional të kryerjes së kompetencave tona, gjë që shoh se edhe rregullorja aktuale që propozohet i ka të njëjtat mangësi në përcaktimin e detyrave dhe obligimet e komisionit, gjegjësisht të deputetëve”- deklaroi Talat Xhaefri nga BDI.

Në këtë seancë u pranua propozimi i tij që edhe anëtarët të mund të ngrenë iniciativa në kuadër të kompetencave të komisionit. Veç kësaj, Xhaferi tha se duhen edhe shumë ndryshime ligjore dhe harmonizime.

Në seancën e parë, komisioni miratoi Propozim Rregulloren për punën e Komisionit dhe mori vendim që në afat sa më të shkurt të vizitojnë institucionet përkatëse për t’u njoftuar me punën e tyre. (Shpëtim Nuredini, TVM2)