Botë
“Miss Shqipëria” për këtë vit zgjidhet Sara Karai
06.07.2015 18:01
Në edicionin e këtij viti të “Miss Shqipëria”, tridhjetë konkurrentët e këtij spektakli i kanë kapërcyer me kohë emocionet e ditëve të para...

Të mbledhura në grupe ku janë të lexueshme miqësitë e lindura përgjatë këtyre javëve, bukuroshet shqiptare kanë prekur tokën dhe detin, nga veriu në jug.
Grupi i stacionuar në Voskopojë, ku mbrëmjen e së dielës u mbajt spektakli i madh dhe ku mbretëresha në fuqi e bukurisë, Anisa Petrela, i dorëzoi kurorën Sara Karait me numër rendor 14, një tjetër mbretëreshë e cila u përzgjodh në skenën gjigante të ngritur në natyrë, në këmbët e Kishës së Kryeengjëjve në qytezën më histori qindravjeçare.
Dhe ndërsa vajzat janë të impenjuara me klipet, këtë vit të konceptuara nën titullin “Mal, Det, Lumë”, stafi i “Deliart Association” arriti që të mbyll detajet përfundimtare të këtij spektakli, ku pos bukurisë së vajzave, spektaklin zbukuruan edhe artiste të njohura të cilat shndritën skenën.
E pranishme në event ishte gjithashtu edhe Miss Santa Ana Pilar, organizatore zyrtare e “Miss Globe 2015” në Toronto të Kanadasë, gjithashtu producente e “Miss Globe Kanada”. Ajo ndoqi nga afër përzgjedhjen e “Miss Shqipëria 2015”, e cila në fundvjeshtën e këtij viti do të udhëtojë drejt Torontos bashkë me stafin shqiptar të Deliart Association, i cili do të kryesojë për herë të parë punën në një event ndërkombëtar jashtë kufijve të Shqipërisë.
Udhëtimi ka nisur nga Tirana, nëpër vizita në zonat përreth dhe destinacioni i fundit ka qenë Elbasani, i cili është përmbyllur me udhëtimin e fundit në Voskopojë, e zgjedhur këtë vit nga Petri Bozo për të kurorëzuar më të bukurën shqiptare, e cila do të na përfaqësojë në “Miss Globe”, që do të mbahet në Kanada, nga i njëjti staf artistik shqiptar, i drejtuar nga Bozo.
ARDITA IMERI
