Metalurgjia, drejtuesit e sektorit kërkojnë ndihmë nga shteti
Kriza greke doemos do të ketë ndikim në ekonominë e Maqedonisë, duke u nisur nga fakti se bashkëpunimi tregtar me Greqinë është në rang të lartë, shprehet kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri- Perëndimore, Nebi Hoxha...

Ai theksoi se kompanitë e Maqedonisë të cilat veprojnë në Greqi, hasin në vështirësi në aspektin e pagesave bankare, ndërsa apeloi deri tek kompanitë të cilat importojnë nga Greqia të kenë kujdes që malli të mos ngecë në krahasim me pagesën.
“Normalisht që kjo situatë e Greqisë reflektohet edhe në Maqedoni, për shkak se e dimë se mjaft kompani të mëdha greke janë në Maqedoni, dhe njëkohësisht duke e ditur që bashkëpunimi tregtar me Greqinë është në rangun e tretë. Kompanitë tona të cilat bashkëpunojnë me Greqinë tash në aspektin e tregtisë kanë pak ngecje, sidomos në aspektin e pagesave bankare”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Hoxha vlerëson se nevojitet të bëhet një konsolidim i borxhit të Greqisë, në mënyrë që të mos pasojnë edhe vendet e rajonit.
“Kjo situatë ma merr mendja që duhet të shihet me shumë kujdes nga Unioni Evropian, respektivisht nga gjitha shtetet e Unionit Evropian në mënyrë që të mos reflektohet nga shtetet tjera, por të bëhet një konsolidim i borxhit të Greqisë dhe të gjitha shteteve të cilat janë të mbingarkuara me borxhin e tyre, dhe të bëhet një rikonstruimi i atyre borxheve, në mënyrë që kjo situatë e Greqisë mos të përhapet dhe mos të reflektohet edhe në shtetet tjera”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Kriza greke deri më tani ka pasur më shumë ndikim në fushën e turizmit. Shumë turistë nga Maqedonia kanë anuluar prenotimet, për shkak se mundësia e pagesave dhe e tërheqjes së parave në Greqi është mjaftë e vështirësuar.
Ndërsa nga Shoqata e Metalurgjisë sot theksuan se situata në Greqi nuk do të ketë ndonjë ndikim në industrinë e metalit, për shkak se Greqia nuk është treg i rëndësishëm për këtë fushë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
