Faza e verdhë e të nxehtit

Qytetarët: Temperatura të papërballueshme

07.07.2015 13:17

Maqedonia hyri në fazën e verdhë të të nxehtit. Bëhuni gati për temperatura që do të arrijnë deri më 40 gradë celsius!

Freskim na pret vetëm pas të enjtes, por kjo do të jetë vetëm për katër gradë më pak. 
 
Qytetarët e anketuar nga TVM-2 në kryeqytet thonë se ky i nxehtë është normal për stinën e verës, por theksojnë se i nxehti i madh i kap pak të papërgatitur qytetarët për shkak se 3 javët e fundit kanë qenë relativisht të freskëta. 
 
“Kemi hyrë nën hije. Është e nxehtë, por jemi mësuar, për ne nuk është asgjë. Gjatë këtyre ditëve preferoj më pak punë dhe më shumë pushime. Tash kur ke punë duhet patjetër me dalë”- u shpreh një qytetar.
 
“Po, kemi nxehtë, mirëpo prapë mirë është. Tash dola se kam pasur punë në pazar”- theksoi një qytetar.
 
“Është nxehtë, por jeta kërkon. Ndonjë herë qëndroj brenda shtëpisë, është më freskët”- tha një qytetar. 
 
“Kemi freskuese në shtëpi, me atë e kalojmë ditën”- theksoi një qytetar.
 
Ata të cilët më së shumti pësojnë nga temperaturat e larta janë shitësit në treg.
 
Ata thonë se gjatë këtyre ditëve përballen me shumë vështirësi gjatë punës së tyre, por hasen edhe me mungesën e blerësve, pasi në temperatura të larta qytetarët shmangin tregun. 
 
“Këtu qëndroj 15 orë me Ramazan. Shumë i nxehti madh është, temperaturat e larta. Disa ditë ka qenë më freskët, por këto 4-5 ditë shumë nxehtë është, nuk po qëndrohet më. Para orës 19 nuk e mbyll punën këtu”- deklaroi një shitës.
 
“Po, kemi vështirësi, sepse është shumë nxehtë për ne, për shkak se i kemi mbushur disa vjet. Sot dola se pata  disa punë të rëndësishme”- tha një qytetar.
 
Mbrojtje më e mirë nga temperaturat e larta është që të mos dilet jashtë pa pasur nevojë në periudhën prej orës 11 deri në orën 17 të pasdites.
 
Këshillohen të përdoren rroba të lehta, kryesisht me ngjyrë të hapur, kapele dhe syza të diellit  dhe konsumim i lëngjeve dhe frutave.
 
REXHEP QAMILI