Amnesti Interneshënëll: Vendet e Ballkanit keqtrajtojnë emigrantët

07.07.2015 13:59

Organizata “Amnesti Interneshënëll” ka kritikuar vendet e Ballkanit për keqtrajtim të emigrantëve, derisa ata kanë kaluar nëpër territoret e tyre për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian...

“Mijëra refugjatë, azilkërkues dhe emigrantë, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë duke ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm përmes Ballkanit dhe janë duke vuajtur nga abuzimi dhe grabitja e bandave, para syve të autoriteteve”- thuhet në raportin e grupit për të drejtat e njeriut.

Emigrantët që po ikin nga luftërat, varfëria, “turpshëm nuk gëzojnë kujdesin e sistemit të azilkërkimit dhe migracionit të BE-së, gjë e cila i lë ata në territorin e Serbisë dhe Maqedonisë pa asnjë mbrojtje”- thuhet në raport.

“Numri në rritje i refugjatëve që janë të bllokuar në tokën e askujt në Ballkan, po e rritë presionin ndaj Serbisë dhe Maqedonisë”- ka thënë Gauri van Gulik, zëvendës drejtor i Amnesty për Evropë dhe Azi Qendrore.

Ai u ka bërë thirrje shteteve në Ballkan “që të strehojnë refugjatët dhe emigrantët që askush në BE duket se nuk dëshiron t’i pranojë”.

Shumë emigrantë janë cituar t’i kenë thënë “Amnesti Interneshënëll” se janë detyruar t'i paguajnë policisë ryshfet mbi 100 euro për të kaluar nëpër shtetet e Ballkanit.

Në këtë kontekst, muajin e kaluar, policia serbe ka arrestuar 29 zyrtarë të saj policorë dhe 9 policë kufitarë, të cilët dyshohen për korrupsion dhe abuzim me postin zyrtar. Ata akuzohen se kanë marr ryshfet nga emigrantët për t’ua mundësuar kalimin e kufirit me Hungarinë. (Leunora Kaliqi, TVM2)