Botë

Veseli: themelimi i speciales në interes të Kosovës

07.07.2015 14:49

Themelimi i Gjykatës Speciale sërish pritet të kthehet në Kuvend, pasi proceduralisht Qeveria e Kosovës do t’i procedojë në Kuvend...

Themelimi i Gjykatës Speciale sërish pritet të kthehet në Kuvend, pasi proceduralisht Qeveria e Kosovës do t’i procedojë në Kuvend amendamentet kushtetuese për themelimin e kësaj gjykate.
 
Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili nuk ka saktësuar nëse kjo do të ndodhë para ose pas pushimeve.
 
“Ne jemi në një situatë reale në të cilën jemi. Në momentin që do të riprocedohen, do të bisedojmë edhe për atë çështje. Besoj se vendimmarrja jonë do të jetë në interes të këtij vendi dhe partneritetit me ShBA-të dhe BE-në”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
 
Ai edhe një herë ka bërë thirrje për konsensus politik dhe ruajtje të partneritetit me ndërkombëtarët. Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se shumë shpejt Qeveria do të riprocedojë amendamentet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, edhe pse më 26 qershor ato nuk morën votat e mjaftueshme, pasi për këtë vendim janë të nevojshme dy të tretat e votave.
 
GYLTENE SINANI