Maqedoni

Musliu: negociatat janë në fazën më të rëndë

07.07.2015 15:48

Ngadalësimi i procesit të dialogut mes liderëve politik mund të jetë pjesë e strategjisë së kryeministrit...

Ngadalësimi i procesit të dialogut mes liderëve politik mund të jetë pjesë e strategjisë së kryeministrit, por vetë fakti që nuk ka ndonjë debat të ashpër publik mes dy palëve, është shenjë se negociatat janë në kontinuitet dhe në fazën më të rënd.
 
Kështu vlerëson analisti politik, Albert Musliu, sa i përket prolongimit të takimit të liderëve për kapërcimin e krizës politike në vend, që ishte paraparë për fundjavën e kaluar apo në fillim të kësaj jave. 
 
“Besoj që ka bisedim dhe bisedimet janë në fazën më të rëndë. Bëhet fjalë për atë se kush do të udhëheq Qeverinë, çfarë formati do të ketë Qeveria, sepse puna që do të bëjë Qeveria është e definuar në marrëveshjen e dy qershorit, por edhe me përcaktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Dihej që në fillim se ajo, çështja më e rëndë që duhet të merren vesh, është se a do të jetë kryeministri Gruevski ai që do ta udhëheq Qeverinë deri në një fazë teknike ose jo, edhe besoj qe pikërisht është ajo çështja për të cilën negociohet edhe besoj se është edhe shkaku se kemi një far qetësie mediale dhe publike nga të gjitha palët”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
 
Sipas Musliut, çështja më problematike që kërkon më shumë negociata nga palët dhe e cila është përmendur në Marrëveshjen e dy qershorit është se kush do të udhëheqë Qeverinë që do ta përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.  
 
SANIJE KASAMI