Botë
Kriza greke, Eurozona pret propozim serioz nga Cipras
07.07.2015 16:28
Në kuadër të samitit të sotëm lidhur me krizën greke, Brukseli zyrtar pret nga kryeministri grek, Cipras, propozim serioz të pakos së reformave për dalje nga kriza...

Ky ka qenë vendimi i ministrave të financave të Eurozonës para fillimit të samitit të jashtëzakonshëm të Eurogrupit.
Sipas tyre, qëllimi i BE-së nuk është përjashtimi i Greqisë nga Eurozona, por se kërkojnë maturi dhe besim më të madh nga Greqia në hapat e mëtutjeshme që priten të merren në Samitin e shefave të financave të Eurozonës.
“Do të presim propozime të reja nga Qeveria greke. Shpresojmë t’i kenë sjellë sonte dhe do të shohim nëse kërkesat janë kredibile dhe a ekziston vendim. Por, gjithsesi, do të jetë e rëndë”- deklaroi kryesuesi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.
“Ne punojmë në skenarin tonë sipas së cilës mund të arrihet pajtueshmëri, por nëse nuk ripërtërihet besimi, nëse nuk ka propozim kredibil, pako reformuese, Gregexit nuk është i përjashtuar”- tha nënkryetari i KE-së, Valdis Dombrovskis.
Se Greqia duhet të mbetet në Eurogrup dhe Evropa duhet të bëjë çmos për mbajtjen e shtetit helen në Eurozonë ka thënë edhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Në një intervistë për Televizionin Shtetëror Austriak, Hahn ka thënë se tash më me rëndësi është kualiteti i propozimit, të cilin kryeministri Cipras do t’ua dorëzojë negociatorëve.
Bisedimet mes Greqisë dhe 18 partnerëve të Eurozonës është bërë paksa më e komplikuar, sepse për disa marrëveshje për vende të caktuara të BE-së nevojitet përkrahje e parlamentit.
Besoj se arsyeja do të fitojë, ka thënë eurokomesari Hahn.
Edhe kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, ka kërkuar që Greqia të mbetet në Eurozonë.
Ai nga Strasburgu ka deklaruar se është ide e gabuar për ata që mendojnë ta përçajnë Eurozonën.
Ndërkaq, sonte vonë fillon edhe samiti special humanitar, ku do të propozohen masa se si të ndihmohen grupet shoqërore të popullit grek përmes sigurimeve financiare.
Momentalisht Banka Qendrore Evropiane është ndihmuesja më e madhe financiare e cila e mban Greqinë jashtë bankrotit dhe daljes nga Eurozona.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
