Maqedoni
Temperaturat deri në 40 gradë, pika kontrolluese falas në 33 qytete
07.07.2015 16:46
Meqë vendi është përfshirë nga një valë e të nxehtit, Minsitria e Shëndetësisë apelon të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta...

Meqë vendi është përfshirë nga një valë e të nxehtit, Minsitria e Shëndetësisë apelon të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, duke shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, konsumim i ushqimit të lehtë dhe duke pirë shumë lëngje.
Këto janë rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi e tërë Maqedonia prej nesër do të hyjë në fazën e verdhë me temperatura nga 34 deri më 40 celsius.
Ministria e Shëndetësisë në bashkpunim me të gjitha shtëpitë e shëndetit si dhe me Kryqin Kuq kanë organizuar pika kontrolluese për qytetarët, që të informohen ata se si të mbrohen nga vala e të nxehtit.
“Për shkak të temperaturave të larta mund të na paraqiten sëmundje të ndryshme, prandaj duhet t’i kushtojmë rëndësi higjienës personale. Prej kur kemi filluar me këtë aktivitet, për çdo vit gjatë muajit korrik dhe gusht janë kontrolluar rreth 15 mijë qytetarë”– deklaroi koordinatorja e sektorit M3, Jovanka Kostovska.
Kontrollet falas do të mund të kryhen në 33 qytete të vendit, çdo ditë prej orës 18:30 deri në orën 21:30, ku do të kontrollohet tensioni i gjakut dhe do të jepen këshilla për parandalimin nga temperaturat e larta.
Ndërsa Kryqi i Kuq prej nesër nëpër rrugët e qytetit të Shkupit do të ndajë ujë të amblazhuar për qytetarët dhe do t’u ndihmojë personave të pastrehë.
REJHANE BUSHI-METAJ
