Maqedoni
Ligji për transplantim organesh kalon fazë të dytë
07.07.2015 17:16
Rriten shanset për qytetarët të cilët janë në dializë dhe duan të bëjnë transplantim të veshkës, por jo vetëm veshkë...

Me 62 vota “për”, Kuvendi i dha dritë jeshile propozim-Ligjit për marrje dhe transplantim të pjesëve të trupit të njeriut për mjekim, në lexim të parë.
Sipas propozuesit, me propozim-ligjin po bëhet plotësimi i dispozitave ekzistuese në ligj, ku jepet mundësia për dhurim mes dy çifteve pranues–dhurues, bëhet zgjerimi i listës së donatorëve të organeve nga ana e familjarëve dhe miqve, si dhe disa saktësime teknike të ligjit aktual.
“Propozojmë futjen e mundësisë për dhurim mes çifteve, që paraqet një procedurë për dhënien e organeve pa pagesë nga njeri i gjallë për mbjellje në trupin e një personi tjetër për shërim në rastet kur ka një çift, ku pranuesi ka një dhurues jokompatibil dhe njëkohësisht ka një çift tjetër ku gjithashtu ka një dhurues jokompatibil dhe me këmbimin e dhuruesve mes dy çifteve, me mbjellje të njëkohësishme të organeve, pranuesit fitojnë organ nga dhurues kompatibil”- deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.
Sipas deputetes së BDI-së, Mirsada Emini Asani, propozim-ligji avancon përmbajtjen e ligjit ekzistues dhe krijon mundësi për rritjen e numrit të transplanteve dhe rritjen e cilësisë së jetesës së pacientëve.
“Në fakt kemi avancim të tekstit ekzistues, e cila përkujdeset mbi tërë zinxhirin e organizimit të brendshëm për realizimin e procedurave, duke filluar nga marrja, dhurimi, përpunimi, ruajtja, transplantimi, gjegjësisht distribuimin e organeve, indeve apo qelizave”- tha Mirsada Emini Asani nga BDI.
Ndërkaq, deputetja, Roza Topuzova Karevska, kontestoi përbërjen e Komisionit të etikës, i cili duhet të vërtetojë se dhuruesi e jep organin vullnetarisht.
Sipas saj, përbërja e Komisionit të etikës nga katër mjekë dhe vetëm një psikolog vështirë se mund të vërtetojnë se organi nuk jepet vullnetarisht.
“Si do të vërtetojnë këta katër persona nga sfera e transplantimit se organi nuk është dhënë vullnetarisht ose është dhënë nën presion. Ata janë profesionistë në fushën e tyre, por të përcaktojnë nëse është dhënë ose jo nën presion, këtu duhet të ketë persona të tjerë kompetent”- theksoi deputetja e pavarur, Roza Topuzova Karevska.
Përveç propozim-Ligjit për marrje dhe transplantim të pjesëve të trupit të njeriut për mjekim, deputetët miratuan edhe 17 pika të tjera të parapara në seancën e 57 të Kuvendit.
SHPËTIM NUREDINI
