Maqedoni
Kriza politike, Gruevski: s’ka takim të liderëve pa krijimin e kushteve; LSDM: Gruevski s’mund të diktojë dinamikën e takimeve
07.07.2015 17:23
Kryeministri, Nikolla Gruevski, konfirmon prolongimin e procesit negociues midis liderëve politik...

Kryeministri, Nikolla Gruevski, konfirmon prolongimin e procesit negociues midis liderëve politik, me arsyetimin se nuk ekzistojnë kushte që liderët të ulen në tryezë të përbashkët për të biseduar.
Sipas Gruevskit, takim të liderëve do të ketë atëherë kur do të krijohen kushte.
“Kur do të krijohen kushte, gjegjësisht kur do të ketë nevojë atëherë do të mbahet takimi i liderëve”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Pas deklaratës së Gruevskit kanë reaguar nga LSDM.
“Nikolla Gruevski nuk është në pozitë që të diktojë dinamikën e mbajtjes së takimit të liderëve. Ai është njëri nga palët në procesin negociues. Shihet qartë qëllimi i Gruevskit për të stërzgjatur procesin. Nëse gjatë ditës nuk caktohet afat për takim të liderëve, LSDM nesër do të kumtojë qëndrimin për rrjedhën e mëtejme të bisedimeve”- thuhet në reagimin e LSDM-së. Pritej që takimi i liderëve të mbahet deri në fund të javës.
Më herët, nga LSDM kanë fajësuar Gruevskin për mosmbajtje të takimit, pasi që, sipas tyre, kryeministri akoma nuk është prononcuar mbi propozimin e tyre të fundit. Për Gruevskin propozim i atillë nuk ekziston.
“Në bisedime nuk ka propozim të fundit apo parafundit prej anës tonë apo prej opozitës, por ka diskutime, bisedime dhe komunikim, dhe që të arrihet ndonjë marrëveshje është e nevojshme që të ketë pajtueshmëri nga të dyja palët. Deri më tani pajtueshmëri nga të dyja palët nuk ka”- u shpreh kryeministri, Nikolla Gruevski.
Jozyrtarisht thuhet se Zaevi i propozon Gruevskit që të largohet nga posti kryeministror pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa LSDM-së t’i jepen katër ministri.
Deri më tani nga bisedimet nuk ka asgjë konkrete, pasi që gjitha afatet e dhëna për mbajtjen e takimit të liderëve janë shkelur.
Takimi i fundit u mbajt më 29 qershor. Atëherë katër liderët ranë dakord që të takohen së shpejti për të definuar qeverinë e re, e cila do t’i përgatisë zgjedhjet.
MERAL ISMAILI
