Botë

Greqi, bankat do të qëndrojnë të mbyllura

07.07.2015 17:44

Në ditën më të rëndësishme dhe më kritike në vitet e fundit, kur ndoshta do të vendoset nëse Greqia do të mbetet pjesë e Eurozonës...

Në ditën më të rëndësishme dhe më kritike në vitet e fundit, kur ndoshta do të vendoset nëse Greqia do të mbetet pjesë e Eurozonës, grekët kanë gjetur përsëri bankat e mbyllura, ndërsa vendimi i BQE-së të mos japë ende likuiditet tek institucionet financiare greke është pritur me pakënaqësi nga Athina.
 
Bankat në Greqi priten të qëndrojnë të mbyllura edhe për disa ditë të tjera, pavarësisht premtimit se ato do të hapeshin ditën e martë, të bërë nga ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis, tashmë i dorëhequr.
 
Kreu i Bashkësisë së Bankave Greke ka konfirmuar se ato do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri të enjten.
 
Kjo situatë i ka irrituar tej mase grekët të cilët kthehen të dëshpëruar nga bankat.
 
“Nuk presim shumë gjatë, vetëm 1 minutë, sa për ta provuar”- tha një qytetar.
 
Vetëm një pjesë e bankave vazhdojnë t’i hapin dyert ekskluzivisht për pensionistët, të cilët nuk i përdorin kredit-kartelat e tyre, ata kanë vetëm një mundësitë që të tërheqin para deri në 120 euro në javë.
 
“Çfarë mund të them? Çfarë mund të thotë dikush tjetër? Unë jam i trishtuar me këtë se si mund të vijë Greqia deri në këtë nivel”- theksoi një pensionist.
 
Radhët nëpër banka dhe pranë bankomateve gjate gjithë ditës kanë qenë të mëdha, kryeministri grek ka biseduar në telefon edhe me kreun e BQE-së, Mario Draghi, për çështjen e likuiditetit bankar, si një nga çështjet më me rëndësi në momentin tepër kritik që po kalon Greqia.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU