Maqedoni
Temperatura tropikale në Maqedoni, 40 gradë celsius, UV indeksi 9, bëni kujdes!
08.07.2015 15:19
Konsumimi i më shumë lëngjeve, freskim nën hije dhe të mos dilet jashtë pa pasur nevojë, këto janë këshillat e vetme që do t’ju ndihmojnë të përballeni me të nxehtin përvëlues...

Që prej të hënës, zhiva e termometrit në vend vazhdon të ngrihet. Sot preku 40 gradët dhe indeksi i rrezeve ultra vjollcë u rrit në 9.
Qytetarët në kryeqendër sot të nxehtin e vunë re që në orët e para të mëngjesit. Asfalti lëshonte avull, duke shtuar nxehtësinë në ajër.
Por, rrugët nuk ishin fare bosh, sepse njerëzit duhet të punojnë edhe në këto temperatura.
“Unë dola sepse kisha punë. Ata të cilët nuk kanë punë për të bërë të mos dalin jashtë, le të qëndrojnë brenda shtëpive dhe t’i përmbahen rekomandimeve të mjekëve për të përballur sa më lehtë nxehtin e madh”- deklaroi një qytetar.
“Me nxehtin kalojmë disi. Është Ramazan, nxehtë është, u kënaqëm të gjithë”- theksoi një qytetar.
“Nuk ka çfarë të bëjmë, është shumë nxehtë sot, mirëpo duhet punuar, tjetër rrugëdalje nuk ka. Konsumojmë më shumë ujë, lëngje, freskohemi herë pas here nëpër shatërvanët dhe qëndrojmë ndër hije”- u shpreh një qytetar.
Për shkak të valës së të nxehtit, shtëpitë shëndetësore në bashkëpunim me Kryqin e Kuq kanë vendosur 33 punkte kontrolli nëpër Maqedoni.
Prej orës 18 e 30 deri më 21 e 30 të mbrëmjes të gjithë qytetarët do të mund të realizojnë vizita mjekësore, të kontrollojnë tensionin e gjakut dhe të këshillohen për preventim sa më të mirë prej të nxehtit të madh.
Ministria e Shëndetësisë u apelon qytetarëve që të mos dalin jashtë në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, ndërsa fëmijët dhe të moshuarit është mirë të mos dalin fare.
REXHEP QAMILI
