Botë

BE për zgjidhjen e krizës greke, Athina me afat prej pesë ditësh për të marrë vendim

08.07.2015 12:30

Greqia i ka pesë ditë që t'i shmanget falimentimit, ky është konstatimi i samitit urgjent të liderëve evropianë i konvokuar me qëllim që të gjendet shpëtim financiar i Greqisë...

Pas negociatave në Bruksel, të cilat kishin për qëllim që të gjendet zgjidhje për qorrsokakun disamujor kur është në pyetje e ardhmja greke, liderët evropianë i hodhën poshtë propozimet greke duke i quajtur të papërshtatshme dhe kërkuan që Athina zyrtare të kthehet me propozim të detajuar deri të premten në mëngjes.

Liderët e 28 vendeve anëtare të BE-së, sipas planifikimeve, do të takohen të dielën kur të vendoset nëse do të jepet shansi i fundit për shpëtimin e ekonomisë greke.

Liderët evropianë shprehën mospajtim të fuqishëm, pasi që autoritetet greke kanë ofruar vetëm propozime gojore, në vend se të ofrojnë dokument të shkruar detajues në të cilin do të përfshihen të gjitha temat rreth krizës kreditore greke, ndërsa të cilat janë lëndë e brengosjes te partnerët evropianë.

"Realiteti i hidhur është se kemi vetëm pesë ditë që të vijmë deri te zgjidhja përfundimtare"- deklaroi i irrituar kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njofton "Uashington post".

"Deri më tani nuk kam dashur që të flas për afate përfundimtare. Por, sonte mund të them qartë se afati përfundimtar skadon nga fundi i kësaj jave"- theksoi Tusk.

"Unë jam kategorikisht kundër gregzitit. Por, nuk mund të parandaloj derisa Qeveria greke nuk e bën atë që e presim prej saj"- deklaroi kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker.

Nga ana tjetër, kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka pikëpamje krejtësisht më të ndryshme për takimin, duke e përshkruar si pozitiv dhe duke theksuar se propozimet e dhëna kanë qenë "të arsyeshme në aspektin social dhe të realizueshme në aspektin ekonomik", Cipras tha se propozimet kanë qenë rezultat i takimit të liderëve politik të hënën.