Botë

Serbi–Hungari, trafikimi i njerëzve po merr përmasa shqetësuese

08.07.2015 14:41

Me qindra mijëra emigrantë përpiqen të arrijnë në vendet e Bashkimit Evropian në kërkim të një shansi për një jetë më të mirë...

Trafikimi i qenieve njerëzore është kthyer në një biznes shumë prifitabil në Serbi dhe Hungari. Vetëm muajt e fundit, Prokuroria Publike ka proceduar më shumë çështje kundër trafikantëve se në tre vitet paraprake. 
 
“Gjetëm 4 njerëz që udhëtonin në ulësen e prapme të një makine dhe dy të tjerë të futur në bagazh ishin qytetarë sirianë që kishin hyrë ilegalisht në Hungari”- deklaroi prokurori publik-Hungari, Robert Ambruzs.
 
Emigrantët flenë në tenda dhe kjo është e vështirë në këto ditë kur temperaturat arrijnë në 40 gradë.
 
Ata mblidhen në të njëjtin vend para se të hyjnë në Hungari. Vetëm për të arritur në Suboticë, trafikantët i kanë marrë 2000 euro. 
 
“Kam dhënë 2000 euro deri këtu"- theksoi një emigrant sirian.
 
Kush të ndihmoi të vish në Serbi?
 
“Trafikantët”- u shpreh një emigrant.
 
Por, në Hungari trafikantët e qenieve njerëzore përballen me ligje të rrepta nëse kapen. 2 serbë janë në gjykatë momentalisht.
 
Ata u kishin premtuar 6 emigrantëve se do t’i çonin deri në Vjenë për 500 euro për person. Gjykata i dënoi me 3 vjet burg dhe 5 vjet ndalim hyrjeje në Hungari.
 
“Policia i kapi trafikantët dhe i ndali në paraburgim. Pas 72 orësh, ata dalin para gjykatës dhe dënohen sipas ligjeve tona. Kundër trafikantëve të huaj ne kryejmë edhe veprimet e ekstradimit”- tha ndihmësprokurori publik-Hungari, Sandor Toro.
 
Sipas të dhënave nga Prokuroria hungareze, 161 trafikantë po gjykohen në gjykatat e vendit, por shumica prej tyre janë trafikantë të huaj.
 
REJHANE BUSHI METAJ